“Na kërcënuan me armë”, policia reagon pas akuzave ndaj vëllait të Safet Gjicit: Situata është keqkuptuar

Policia e Kukësit ka reaguar në lidhje me incidentin që ndodhi gjatë natës, ku qytetarët denoncuan vëllain e kryebashkiakut Safet Gjici, Lavderim Gjici se kishte kërcënuar me armë.

Dy kushërinj, Bedri dhe Nebi Sinamati treguan si janë kërcënuar sapo kanë dalë para shtëpisë së tyre në orët e vona të mbrëmjes.

“Dolëm me automjetin tonë nga banesa dhe po shkonim tek shtëpia e kushëririt tjetër. Sapo kemi dalë në rrugën e lagjes na është bllokuar rruga nga ky automjet që shihni në pamje, në vendin e parë të mjetit dallohet qartë se është i ulur Lavdrim Gjici, vëllai i kandidati të PS-ës për Bashkinë Kukës së bashku me një përson tjetër”, thanë ata.

Por policia sqaron duke thënë se ka ndodhur një keqkuptim.

Reagimi i policisë:

Në lidhje me një rast të publikuar në media, ku pretendohet për kanosje me armë të qytetarëve, për dhënien e votës, në fshatin Bushat, ju sqarojmë se:

Më datë 11.05.2023, rreth orës 23:50, shtetasi B. S., banues në fshatin Bushat, ka njoftuar Policinë se kishte një konflikt me disa shtetas, në fshatin Bushat.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë nga shtetasi B. S. dhe nga verifikimet paraprake ka rezultuar se ky shtetas ishte përshirë në një konflikt për motive të dobëta, në rrugë, me 3 shtetas të tjerë.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, shtetasit e përfshirë në konflikt: B. S., N. S., të dy banues në fshatin Bushat, Q. H. dhe L. Gj., të dy banues në Kukës.

Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat, automjeti tip “Mercedes Benz”, me të cilin  qarkullonin shtetasit Q. H. dhe L. Gj. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, palët e përfshira në konflikt nuk kanë ngritur pretendime që gjatë konfliktit të jenë kanosur me armë, për asnjë motiv, por kanë deklaruar se konflikti ka ardhur si pasojë e një keqkuptimi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, të katërt shtetasit e shoqëruar u lanë të lirë.

Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për vlerësim.

Edhe kandidati socialist për kryebashkiak në Kukës, Safet Gjici ka reaguar, i cili është shprehur se personat që kanë qenë me makinë nuk kanë blerë vota për PS-në, por kanë dalë në terren për të kontrolluar ata që blejnë vota në interes të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“Video kishte pamje që njerëzit tonë dalin në terren për të kontrolluar furgonin e bandës që blejnë vota ditë për diell, janë turrë si hiena në çdo njësi administrative vetëm për të blerë vota dhe për të bërë presione, video tregohet qartë që s’ka as armë as para. Ne jemi në kontroll, kontrollojmë territorin nga bandat dhe furgoni i bandave që i ka rreth kandidati i Non Gratave. Të bllokohen të gjitha makinat me targa të huaja dhe me xhama të zeza që lëvizin në territor. Kemi prova dhe video dhe do i çojmë në organet ligjzbatuese”, tha Gjici./albeu.com/