Infektimi i deputetit Arben Gashi, seancat e Kuvendit mund të mbahen online
Për shkak të pandemisë së COVID-19, Kuvendi i Kosovës ka disa muaj që ka mbetur gjysmë i bllokuar në punën dhe efikasitetin e tij.

Një deputetë i Kuvendit ka rezultuar pozitiv derisa janë duke u kryer edhe shumë testime tjera.

Seancat mund të mbahen edhe online, por për një gjë të tillë duhet mbështetja e 2/3 të Kuvendit.

Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, nga Kabineti i kryetares së Kuvendit tregojnë proceduarat që duhet kaluar për t’u mbajtur seanca online.

“Rregullorja aktuale e KuvenditKosovës nuk e parasheh mbajtjen e seancave online. Për ndryshimin e kësaj Rregulloreje nevojiten 2/3 e votave në Kuvend. Rrjedhimisht, nevojitet vullnet politikë dhe kohë për të kaluar proceduralisht një çështje të tillë”, thuhet në përgjigjen e Kabinetit të kryetares.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se do të mbështeste një iniciativë të tillë dhe pret që shumë shpejt Kryesia e Kuvendit të sjellë propozimin.

“Besoj se mund të shohim edhe për opsione të tjerë të tilla si ato që seancat e Kuvendit të jenë virtuale apo edhe takimet e komisioneve parlamentare të jenë virtuale. Kjo është e vetmja mundësi se si ne mund të kryejmë detyrën tonë. Ndryshe në rrethanat që jemi dhe me infektimet që kemi brenda KuvenditKosovës nuk është se e rrezikojmë shëndetin tonë por edhe të familjarëve tonë”, deklaroi Fitim Uka.

Rishikimi i buxhetit është njëra prej çështjeve që po pret votat e deputetëve. Skënder Krasniqi nga Oda e Afarizmit të Kosovës thotë se deputetët duhet të bëhen bashkë e t’i dalin në ndihmë sektorit privat.

“Është një nevojë emergjente që Qeveria e Kosovës së bashku me deputetët e Kuvendit dhe partitë parlamentare të unifikohen në këtë drejtim dhe t’i japin më shumë mbështetje sektorit privat në mënyrë që të mos vijë të një kolaps i shtetit pasi rënia e biznesit ndikon në të hyrat e shtetit”, deklaroi Skënder Krasniqi.

Qeveria e Kosovës është njëra ndër institucionet publike që ka mbajtur mbledhjet disa herë online./RTV Dukagjini
Shtuar më 02/07/2020, ora 20:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori