Fjalë speciale për Suarez, Messi: Nuk habitem si të dëbuan (FOTO LAJM)

Largimi i Luis Suarez nga Barcelona nuk ka trishtuar vetëm tifozët katalanas, por edhe Lionel Messin. Uruguaiani ishte kthyer në shokun më të mirë të kapitenit blaugrana dhe tashmë dyshja nuk do të jetë më bashkë në fushën e lojës.

Leo ka postuar disa foto në “Instagram”, ku shfaqet me Suarez dhe nuk mungojnë fjalët e ngrohta drejt tij.

“Sot po hyja në dhomën e zhveshjeve, por fotoja jote nuk ishte më. Do të jetë e vështirë tashmë që ti je larguar, si brenda ashtu edhe jashtë fushe.

Janë shumë vite që kemi kaluar bashkë, dreka, darka që do të më mungojnë. Shumë gjëra që nuk do të harrohen kurrë, pasi ne kalonim pothuajse çdo ditë së bashku.Do të jetë e çuditshme të të shikoj me një fanellë tjetër dhe aq më shumë të luaj përballë teje si kundërshtar.

Ti je një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij klubi dhe ke shkruar historinë këtu. Ke arritur gjëra të rëndësishme si në grup ashtu edhe në aspektin individual. Nuk e meritoje të dëbohesh siç ndodhi, por nuk jam aspak i habitur me ta.

Të uroj gjithë të mirat në këtë sfidë të re si dhe të dua shumë. Shihemi së shpejti miku im,” shkruan Messi përkrah fotove. Suarez ndërkohë është transferuar tek Atletico Madrid dhe do të mundohet të vijojë të shënojë gola të rëndësishëm në La Liga dhe Champions.


Shtuar 25.09.2020 10:47