Idetë e Beogradit për ndarjen e Kosovës janë të tejkaluara
Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka deklaruar se idetë e Beogradit për ndarjen e Kosovës janë të tejkaluara. Ai tërheq vërejtjen se interesat e Beogradit janë të ndryshme nga serbët në veriun e Kosovës, të cilëve duhet krijuar hapësirë për të punuar me Prishtinën dhe komunitetin ndërkombëtar. Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, ambasadori Dell flet edhe për skenën politike të Kosovës dhe kritikat që i janë bërë për ndërhyrje në zhvillimet e atjeshme.

“Çështja më e rëndësishme është zgjidhja e çështjes së barrikadave dhe pastaj të kriminelëve të organizuar që janë në linjë me të ashtuquajturën udhëheqje politike në veri që në fakt pengojnë qytetarët e zakonshëm për të jetuar jetë normale dhe pengojnë ata që duan të angazhohen në procesin e diskutimit me Kosovën për të ardhmen e tyre. Viktimat e para të kësaj situatë janë qytetarët që jetojnë në veri. Dhe qytetarët që kanë menduar me vete se mund të punojnë me Kosovën dhe do të dëshironin të kishin mundësinë për të provuar këtë, janë subjekte të dhunës dhe frikësimit të atyre që thonë se veprojnë në emrin e tyre”.

“...Për një kohë të gjatë kemi lejuar Beogradin që ai, vetëm ai të flasë në emër të serbëve, apo që të ashtuquajturit udhëheqës paralel, strukturat e paligjshme në veri të flasin në emër të qytetarëve atje. Nuk e mohoj se ata kanë disa interesa të përbashkëta, por interesi i Beogradit, i shtetit serb është ndryshe nga qytetarët e Kosovës që kanë qëlluar të jenë serb etnik. Interesat e grupeve kriminale të lidhur me të ashtuquajturit politikanë, nuk janë të njëjta me qytetarët e zakonshëm. Dhe njerëzit me të cilët nuk kemi biseduar kurrë se çfarë vërtetë duan, janë qytetarët e zakonshëm që jetojnë në veri, prandaj mendoj se ata duhet të jenë caku ynë dhe rruga përpara”, a thënë ambasadori Dell.

I pyetur se si të arrihet tek qytetarët serbë në veri që janë prapa barrikadave dhe nën ndikimin e Beogradit, ambasadori amerikan ka thënë se së pari duhet të shohim KFOR-in dhe EULEX-in duke e bërë punën e tyre. “Të largojnë barrikadat, të kontrollojnë vendkalimet e paligjshme kufitare, t’i hapin rrugë sundimit të ligjit dhe të çrrënjosin, nëse mund të shprehem kësisoj, elementet kriminale që janë të gatshëm të përdorin dhunën, granatat e dorës, të qëllojnë njerëzit, të frikësojnë fëmijët e të tjerëve, të shpartallohen ata dhe atëherë do të shohim atë hapësirë të krijohet dhe kjo duhet të bëhet në muajt që vijnë”.

Ambasadori Dell ka folur edhe për gjasat që kanë Serbia dhe Kosova të integrohen në Bashkimin Evropian. Mendoj se gjasat janë relativisht të mira. E dimë se Serbia është më lartë në listë. Por, evropianët janë përkushtuar që sa herë që Serbia bën një hap, Kosova të bëjë një hap... Nuk me takon mua të flasë për çështje të brendshme të BE-së, meqë nuk jemi anëtarë, por, atë që kamë dëgjuar në mënyrë të vazhdueshme nga diplomatët dhe përfaqësuesit e BE-së, është se nuk ka më Qipro. Bashkimi Evropian e pranon se anëtarësimi i Qipros pa zgjidhjen e problemit të Qipros veriore me Turqinë ishte gabim thelbësorë që ka i ka shkaktuar shume vështirësi BE-së. Mendoj se zgjidhjet duhet te gjenden para se Serbia të bëhet anëtarë e BE-së”, ka thënë Dell.

Dell u është përgjigjur edhe kritikave që vijnë për punën e tij. “Nëse kemi ndonjë ndikim në Kosovë, kjo ndodhë për shkak të një periudhe të gjatë që na kthen prapa në kohën para vitit 1999. Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me udhëheqjen e Kosovës. Pararendësit, kolegët, e jam i sigurt edhe pasardhësi im, do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Kosovën në mënyrën e njëjtë. Dhe këto marrëdhënie të fuqishme janë të mbështetura në besimin e ndërsjellë, besimin në mbajtjen e fjalës.

Dhe kjo krijon ndikim. Nëse njerëzit mendojnë se është keq të mbash fjalën, nëse mendojnë se besimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është gjë e keqe, atëherë e pranoj kritikën si të vlefshme. Në anën tjetër, nëse njerëzit e kuptojnë se ky besim ka krijuar një partneritet që na ka mundësuar të mbështesim Kosovën dhe përpjekjet e saj për tu bërë shtet i pavarur, për të forcuar qeverisjen e saj dhe të ndërtojë ekonominë e saj, atëherë e hedh poshtë kritikën”.

Dell ka komentuar edhe deklaratën e tij për skenën politike në Kosovë, e cila sipas disa medieve, ai ka thënë se “është e papërgjegjshme”. “Mendoj se duhet të sqaroj përshtypjen e gabuar që është krijuar nga gazetaria e papërgjegjshme e disa medieve lidhur me atë se çfarë kam thënë. Unë kam bërë një paraqitje që synonte të analizojë përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtarë dhe rolin e tij për tërë atë që ka shkuar mirë apo keq në 12 vitet e fundit në Kosovë.

Konstatimi ishte thjeshtë se duke mos lejuar kosovarët që të marrin përgjegjësinë për qeverisjen e tyre, e kemi nxitur një atmosferë të papërgjegjësisë”, ka thënë ndër të tjera ambasadori Dell.
Shtuar më 10/11/2011, ora 10:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori