Rriten shifrat e infektimeve, mbi 1.100 raste pozitive me COVID-19 në Kosovë

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 1.187 raste pozitive me koronavirus në 24 orët e fundit, pas testimit të 3.022 mostrave.

Kjo nënkupton se 39.27 për qind e rasteve kanë dalë pozitive. Në periudhë 24-orëshe nuk ka pasur viktima, ndërsa raste aktive janë 9.820.

Deri më tani, autoritetet shëndetësore kanë dhënë mbi 1.8 milion vaksina kundër këtij virusi.

Mbi 900 mijë banorë kanë marrë dozën e parë, mbi 800 mijë të dyja dozat, ndërsa edhe të tretën mbi 100 mijë.

Prej raportimit të rasteve të para me koronavirus, në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 3,164 vdekje.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.