ICG: Kosovë, Serbi, mos e humbni rastin!
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e publikuar të martën për raportet mes Kosovës e Serbisë ka bërë thirrje të dy shteteve që të mos e lëshojnë mundësinë premtuese për të arritur marrëveshje për veriun e Kosovës dhe kështu të hyjnë fuqishëm në rrugën kah anëtarësimi në BE.

ICG duke numëruar marrëveshjet e deritashme të arritura në Bruksel dhe nisjen e zbatimit të tyre, ka thënë se çështjet më të mëdha si gjykatat, policia, dhe strukturat komunale në veriun e banuar me shumicë serbe të veriut të Kosovës janë në agjendë në dialogun e nivelit të lartë bilateral të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Liderët e të dy shteteve duken më të gatshëm për kompromiset, por, serbët e veriut të Kosovës po refuzojnë integrimin dhe po rritet dhuna e nivelit të ulët, nacionalistët kosovarë janë të tensionuar dhe një shkëndijë mund të nxisë luftimet ndërmjet komuniteteve”.

Kështu thuhet në raport, në të cilin i rekomandohet Beogradit dhe Prishtinës që të shfrytëzojnë këtë shansë për t’u angazhuar në diskutimet substanciale në transformimin e strukturave ekzistuese në veri dhe të ofrojnë një rajon vetë-qeverisës, që i përshtatet juridiksionit të Kosovës, të bazuar në aplikimin fleksibil të planit strukturor të Ahtisarit.

Megjithatë, në raport, thuhet se të dy vendet ende kanë mospajtime të mëdha.

Prishtina, sipas ICG-së, synon që të fitojë pëlqimin e serbëve për planin e Ahtisarit, ndërsa, Beogradi synon rishikimin e marrëveshjeve që shihen si të papranueshme, në këtë rast edhe vetë planin Ahtisaari.

Pavarësisht kësaj, zhvillimet e fundit, sipas ICG kanë dhënë shpresë, pasi që rezultatet në fazat e hershme të bisedimeve kanë shkrirë rigjiditetin e dyanshëm.

“Serbia së fundi kapërceu pragun, duke pranuar, të paktën në mënyrë implicite integritetin territorial dhe juridiksionin e Kosovës ndaj veriut, edhe pse e refuzon pavarësinë e saj. Të dy kryeqytetet duket se kanë përjashtuar përdorimin e dhunës për zgjidhjen e kontestit të tyre politik”, shkruan ICG.
Shtuar më 19/02/2013, ora 15:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori