I dyshuari për vrasje duhet të ishte në burg por qytetarët e shohin rrugve
Dyshohet për një prej vrasjeve më të rënda në Kosovë, por qytetarët deklarojnë se të njëjtin e kanë parë duke u shëtitur në qytet pas vrasjes.

I dyshuari për vrasjen e 22 vjeçarit nga Bresalci i Gjilanit, Liridon Uruqi para dy ditësh publikoi edhe fotografi në Instagram, e cila duket që është bërë së fundi. Por, derisa Uruqi po publikon fotografi jashtë grilave, në Shërbimin Korrektues dhe Gjykatën e Gjilanit e mohojnë të ketë ndodhur diçka e tillë.

Kishte dalë për tu takuar më shokët siç bënte çdo natë tjetër, por mbrëmjen e 28 korrikut nuk u kthye më i gjallë në shtëpi. Trupi i pajetë i djalit të vetëm të familjes Arifi nga Bresalci i Gjilanit u gjendë vetëm 100 metra larg shtëpisë ku banonte.

22 vjeçari, Fatlind Arifi u qëllua me plumb në zemër po atë natë në vendin e quajtur 'Te Lapidari' në fshatin ku banonte, duke mbetur kështu i vdekur në vend.

Ai dyshohet se u vra nga shoku i tij, Liridon Uruqi, i cili po vazhdon të mbahet në paraburgim që nga korriku i vitit të kaluar, kur edhe u krye vrasja.

Por, ndonëse Uruqi zyrtarisht gjendet në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, qytetarë të Gjilanit thonë se e kanë parë duke u shëtitur në Gjilan edhe pas vrasjes.

Madje, edhe vetë Uruqi para dy ditësh publikoi fotografi në rrjetin social Instagram, ku shihej në një veturë, fotografi e cila duket të jetë bërë ditëve të fundit, por që më pas bashkë me të u fshinë edhe gjithë fotografitë e tjera.

Në Shërbimin Korrektues dhe Gjykatën e Gjilanit e mohojnë të ketë ndodhur diçka e tillë. Deklarojnë që i dyshuari për vrasjen e Fatlindit po vazhdon të mbahet në paraburgim.

Zëdhënësi i SHKK-së, Jeton Kabashi ka thënë se Uruqi nuk ka bërë asnjë lëvizje përveç në Gjykata.

Ndërkohë, që për fotot e publikuara nga Liridoni në Instagram, Kabashi thotë se llogaritë e tij në rrjete sociale menaxhohen nga familjarët, pasi që ai nuk ka qasje.

“Liridon Uruqi është në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje përveç më Gjykata. Ndërsa, ai nuk ka qasje në rrjete sociale, por ato menaxhohen nga familjarë të tij dhe janë foto të vjetra”, ka deklaruar Kabashi.

Edhe në Gjykatën Themelore të Gjilanit deklarojnë se Uruqi gjendet në paraburgim që nga 30 korriku i 2018-ës.

Zëdhënësi për informim në Gjykatën Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra kishte thënë për Gazetën Express ditë më pare se hera e vetme kur Uruqi ka dalë nga Qendra e Paraburgimit është “vizita” që ka bërë së fundi në Institutin e Forenzikës Psikiatrike, me kërkesë të Gjykatës.

Deklaron se pas kësaj vizite, ai është kthyer sërish në Qendër të Paraburgimit ku do të mbahet deri më 12 shkurt të këtij viti.

“I akuzuari Liridon Uruqi gjendet nën masën e paraburgimit prej 30 korrik 2018, këtë masë e ka deri me datë 24 shkurt 2019. Mund të ju informojë që më kërkesë të Gjykatës Themelore të Gjilanit, i akuzuari është dërguar për një javë në Institutin e Forenzikës Psikiatrike, për të marrë një raport rreth gjendjes së tij psikiatrike dhe më pas është kthyer në Qendrën e Paraburgimit, ku po vazhdon të mbahet edhe më tutje”, kishte thënë Shkodra.

Derisa kishte shtuar që seanca kryesore për këtë rast do të mbahet në shkurt të këtij viti, ku do të dëgjohen dëshmitarët dhe më pas do të shtjellohen provat.

Ndërkohë, që seanca fillestare ishte mbajtur më 30 korrik të vitit të kaluar, ku i dyshuari kishte deklaruar se për veprën e kryer ishte penduar. Kishte thënë se e njëjta kishte ndodhur nga pakujdesia.

“Është mbajtur seanca fillestare, ndërsa seanca kryesore është caktuar nga trupi gjykues, për datat 11 dhe 12 shkurt 2019. Procedurat janë ashtu siç i parasheh Kodi Procedurës Penale, vazhdohet me seanca, dëgjimin e dëshmitarëve dhe shtjellimin e provave”, kishte deklaruar Shkodra.




Shtuar më 09/01/2019, ora 16:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori