I dërguari i SHBA viziton këtë javë Prishtinën dhe Beogradin
Emisari special i presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të enjten të do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Prishtinë, ndërkohë të premten do të vizitojë Beogradin.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në një intervistë për RTS ka treguar se në orën 8 të mëngjesit të së premtes do të takohet në Beograd me Përfaqësuesin Special të SHBA-së për dialogun.

Në këtë intervistë Vuçiq ka ndarë detaje edhe për takimin që dje ka pasur në Davos me këshilltarin kryesor të Trump për siguri, Robert O’Brien, duke thënë se Washingtoni është i gatshëm të dëgjojë kërkesat dhe problemet e Beogradit.

“Unë mendoj se ai e kupton mirë pozicionin e Serbisë”, ka thënë Vuçiq, transmeton Gazeta Express.

Tutje kreu i shtetit serb ka thënë se qëndrimi i SHBA’së ndaj Kosovës është në kundërshtim me atë të Beogradit, por megjithatë thotë se Uashingtoni është i gatshëm të dëgjojë pikëpamjet e Serbisë.

“Unë nuk po them se tani SHBA’ja do të vijë në anën tonë, siç mund ta mendojë dikush, por ata janë të gatshëm të dëgjojnë se cilat janë kërkesat dhe problemet tona, çfarë mendon Serbia në këtë drejtim. Në këtë aspekt, unë mendoj se i kemi hapur disa dyer prapa të cilave tashmë mund të flasim me partnerët amerikanë, ndryshe nga më parë”, ka thënë Vuçiq.

Kjo vizitë e Richard Grenell në Kosovë e Serbi vjen pak ditë pas arritjes së marrëveshjes për hapjen e hapsirës ajrore që do të rezultojë me kthimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd pas 20 vjetësh.
Shtuar më 22/01/2020, ora 15:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori