I afërmi i Mytaher Haskukës: Pas 100 vjetëve, Prizreni sërish në duar të turqve
Një i afërm i Mytaher Haskukës, i cili ka shumë fotografi me të në Facebook, po pret me padurim që Vetëvendosja ta marrë pushtetin në Prizren. Ai thotë se në këtë mënyrë, qyteti jugor, që një parti rivale e VV-së e kishte cilësuar si Jerusalemin e saj, do të bjerë sërish në duart e turqve.

Pas shtatë ditësh do ta marrim vesh se kush do t'i udhëheqë qytetet e Kosovës. Qytetarët kanë lloj-lloj pritjesh. Shumica dërrmuese e tyre presin që të udhëhiqen prej politikanëve të pakorruptuar. Prej politikanëve punëtorë. Prej atyre që ua lehtësojnë jetën.

Mirëpo, jo të gjithë i kanë këto halle. Ta zëmë, një kushëri i afërt i kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Prizren, shpreson që qytetin e tij, pas 100 vjetësh, ta marrin prapë turqit në duar. Faik Haskuka, kushëri i afërm i Mytaher Haskukës, ka postuar në profilin e tij në Facebook një varg fotografish me kandidatin për kryetar për këtë qytet. Të gjitha këto me mbishkrime në gjuhën turke.

Prej kur Mytaher Haskuka është nominuar si kandidat i LVV-së për Prizrenin, Gazeta Express ka pranuar me dhjetëra mesazhe për nacionalitetin e këtij kandidati. Këto mesazhe u injoruan, duke marrë parasysh larushinë religjioze dhe etnike të Prizrenit. Por nuk mund të injorohet edhe postimi i kushëririt, në foto me Mytaherin, ku shprehet dëshira që turqit ta rikthejnë Prizrenin.

“Komuna e Prizrenit mas 100 vjet apet ndor turqve. Mashallah Elhamdullillah”, ka shkruar ai.

Kushëriri i kandidatit të VV-së Mytaher Haskukës, Faik Haskuka, i cili ka shprehur këtë qëndrim, është i shkolluar në Turqi dhe është pjesëtar i FSK-së.

Ndërkaq, vetë kandidati i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, ka treguar në një emision televiziv se është i shkolluar në shtetin turk dhe se është i martuar me një grua turke.

Ditëve të fundit, derisa po zhvillohet fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, është spekuluar për origjinën e familjes Haskuka, ku është potencuar fakti se në shtëpi ata flasin turqisht.

Sido që të jetë, orientimin e kësaj familjeje e ka shfaqur qartë Faiku, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Faik Haskuka, sipas të dhënave të tij në Facebook, është po ashtu i shkolluar në Turqi, në Universitetin e Anadollit, ndërsa postimet e tij në rrjetet sociale kryesisht i bën në gjuhën turke.

Haskuka në profilin e tij ka të postuara fotografi me ministrin e Komunitetit turk, Mahir Yagcilar, i cili njihet për lidhjet e tij të forta me Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i cili kishte ngjallur ndjenja të forta proturke në vitin 2013, gjatë një vizite, kur kishte deklaruar se Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë.

Ndërkohë interesimin për këtë qytet e kishte vazhduar duke përuruar xhaminë e Emin Pashës, të ndërtuar në vitin 1832, të ndërtuar me fonde të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA. Në këtë event Erdogan kishte marrë pjesë nëpërmjet video-konferencës.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila po flirton me elektoratin proislamik, nuk ka hezituar të kandidojë edhe kandidatë me bindje të theksuara fetare.

Kandidati i tyre në Rahovec, Visar Korenica, kishte kërkuar haptazi shkatërrimin e shtetit të Izraelit në postimet e tij në Facebook.

Përndryshe, qyteti i Prizrenit konsiderohet si djepi i rilindjes kombëtare shqiptare. Në këtë qytet kanë filluar hapat e parë të patriotëve shqiptarë për t'i thënë "Jo" Turqisë, pas 500 vjetësh pushtim. Në Prizren është edhe selia e Lidhjes Shqiptare, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare.

Mirëpo, siç rëndomë ndodh në këto troje, çfarë është e shenjtë për një etni është heretike për një tjetër.

Haskuka në Prizren është duke garuar përballë Shaqir Totajt të PDK-së, Hatim Baxhakut të LDK-së, Lulzim Kabashit të AAK-së, Osman Krasniqit të AKR-së, Emilja Rexhepit të NDS-së dhe kandidatëve të disa subjekteve më të vogla.

Mbetet të shihet se kush do ta fitojë Prizrenin më 22 tetor.
Shtuar më 16/10/2017, ora 14:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori