Hyseni: Veriu shpërtheu njohjet
Skender Hyseni
Veprimet e Qeverisë për embargo ndaj mallrave serbe dhe aksioni policor në Veri shkaktuan shpërthim të njohjeve për Kosovën. Kancelarja Merkel dërgoi mesazhin në Beograd pas konsultimeve me kolegët e saj në BE. Tani kemi qëndrim shumë të qartë të bashkësisë ndërkombëtare rreth strukturave të jashtëligjshme në Veri. EULEX’i nuk mund të qëndrojë më neutral. Ish-Ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, flet për Express.

Si i vlerësoni mesazhet publike të kancelares Angela Merkel, e cila tha se Serbia duhet t`i shuajë strukturat paralele, të mos e pengojë EULEX-in në Veri dhe të ketë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?

Është për t`u përshëndetur që përfundimisht tani kemi qëndrim shumë të qartë të bashkësisë ndërkombëtare rreth strukturave të jashtëligjshme të Republikës së Serbisë në Veri të Kosovës. Thënë shkurt janë një kancer i pashërueshëm në trupin e Kosovës, por në fund të fundit edhe në marrëdhëniet afatgjata midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Një parakusht thelbësor i patejkalueshëm është zhdukja, heqja totale e të gjitha strukturave të jashtëligjshme që financohen dhe ushqehen nga Beogradi për të mundur një normalizimi të marrëdhënieve afatgjata midis dy vendeve zyrtare.

A është e mundshme që Serbia të mos e marrë statusin kandidatit nëse nuk i zbaton kërkesat e Gjermanisë dhe shteteve tjera perëndimore?

Nuk do të duhej absolutisht BE’ja t`ia jepte statusin e kandidatit Serbisë pa u bind vetë BE’ja, por edhe Kosova në këtë rast që përfundimisht Republika e Serbisë ka heq dorë nga pretendimet për ta destabilizuar Kosovën përmes çfarëdo forme qoftë. Serbia mund të mos njohë Kosovën edhe sa vite në vijim, por minimumi që Serbia duhet të bëjë është ta njohë faktin që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë në asnjë variant dhe u pajtua, s`u pajtua Serbia, e njohu, s’e njohu zyrtarisht – e pakta duhet të ketë një pajtim implicit ose të tërthortë që Kosova nuk është dhe s`ka qenë në asnjë variant pjesë e Serbisë siç e thotë Kushtetuta e Republikë së Serbisë. Një kushtetutë, e cila e mban peng edhe vetë zhvillimin e Serbisë dhe përparimin drejt strukturave euroatlantike, por një Kushtetutë e mbrapsht e Serbisë që e mban peng në fund të fundit edhe fillimin e një procesi afatgjatë të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës si dy shtete të pavarura dhe sovrane.
Shtuar më 26/08/2011, ora 11:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori