Hyseni takon Viets, Kosova përgatitet për anëtarësim në INTERPOL
Kosova po përgatitet për anëtarësimin në INTERPOL, ndërsa po vijon puna e qeveris për forcimin e rendin dhe ligjit në vend. Këto kanë qenë disa nga tematikat kryesore të bisedimeve gjatë takimit që ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka zhvilluar me ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angelika Viets.

Gjatë takimit, ministri Hyseni dhe ambasadorja Viets diskutuan aspekte të veçanta të përgatitjes për anëtarësim zyrtarë në këtë organizatë.

Ministri Hyseni, theksoi se MPB dhe Policia e Kosovës po punojnë në këtë drejtim. Për këtë do të ketë bashkëpunim të ngushtë me Republikën Federale të Gjermanisë në mënyrë që edhe Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

Në takimin me ambasadoren gjermane u diskutua edhe për migrimin ilegal dhe numrin e madh të azilkërkueseve kosovarë në Gjermani. Ambasadorja Viets ritheksoi se të gjitha kërkesat për azil do të refuzohen dhe të gjithë ata qytetarë pastaj do të kthehen në Kosovë.

Ministri Hyseni shprehu shqetësimin e Qeverisë së Kosovës për numrin në rritje të qytetarëve të Kosovës, të cilët po migrojnë ilegalisht në vende të ndryshme të Europës. /albeu.com/
Shtuar më 14/01/2015, ora 15:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori