I vihet tritoli një banese në Durrës
Humbjet marramendëse të Kosovës me mjekët
A e dini se për ta përgatitur një mjek, buxhetit të Kosovës i kushton hiç më pak se 100 mijë euro? Nga dita e parë e studimeve deri në diplomim, kaq para shpenzohen për paga të profesorëve, material laboratorik, infrastrukturë e shpenzime tjera të domosdoshme për një studentë që do ta marrë titullin doktor.

Pak kush e ka llogaritur këtë. Por, 130 kuadro të tilla profesionistësh për të cilat shpenzohen para të majme vetëm për një vit kanë ikur nga Kosova.

Këtë e konfirmojnë në Odën e MjekëveKosovës dhe Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë. Në këtë të fundit kanë bërë edhe llogaritë se sa e vështirë është përgatitja e një kuadri mjekësor.

Sipas prodekanes për çështje financiare në Fakultetin e Mjekësisë, Gloria Staka, në shumën prej 100 mijë eurove, sa është kostoja e “prodhimit” të një mjeku, për gjashtë vite, përfshihen disa elemente.

“Gjatësia e kohës se studimeve (6 vite), pagat e profesorëve dhe asistenteve, pajisjet laboratorike, materiali laboratorik dhe shëndetësor i shpenzuar gjatë ushtrimeve laboratorike dhe klinike, mirëmbajtja e infrastrukturës si dhe shpenzimet komunale janë disa nga elementet që përfshijnë në këtë shumë”, ka thënë Staka për gazetën inFokus.

Mirëpo, pas të gjitha këtyre shpenzimeve, institucionet e Kosovës nuk po arrijnë ti mbajnë kuadrot brenda vendit.

Numri i mjekëve që po e braktisin Kosovën, çdo vit është duke u rritur. Këtë e ka konfirmuar për gazetën inFokus edhe kryetari i Odës së MjekëveKosovës, Pleurat Sejdiu.

“Nga periudha e marsit të vitit ta kaluar e deri në këtë muaj 130 mjekë kanë kërkuar vërtetim që të largohen nga Kosova” ka deklaruar Pleurat Sejdiu.

Sipas Sejdiut ekzistojnë disa faktorë se pse numri i mjekëve që po largohen nga Kosova është i lartë.

“Nëse i ndajmë me 100 për qind, për mbi 75 për qind janë kushtet e punës dhe të punësimit edhe 25 për qind janë rrogat. Kushtet për punë janë të pakënaqshme, mundësia e avancimit, niveli i pagës janë disa nga faktorët që po ndikojnë në largimin e mjekëve nga Kosova”, tregon Sejdiu për gazetën inFokus.

Ai ka një shqetësim të madh nëse vazhdojnë të ikin kuadrot mjekësore me këtë ritëm.

“Problemi është se ne edhe ashtu tani në institucionet publike kemi moshën mesatare shumë të vjetër sidomos të mjekët specialist, dhe vjen puna që mas 10 vjetëve nuk kemi me pas staf për zëvendësime, se shumica e mjekëve të cilët momentalisht janë specialistë janë mbi moshë 50-vjeçare”, pohon Sejdiu.

Ndërsa sipas kryetarit të Federatës se Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla kërkesa e mjekeve të Kosovës për t'u larguar është më e madhe në vendet gjermanofolëse.

“Në bazë të hulumtim që kemi bërë në vitin 2013 numri ka qene afro 400 por me siguri ky numër është rritë, sidomos vitet e fundit. Por ajo çka është e vërtet se kërkesa është shumë e madhe sidomos për vendet e gjermanofolëse”, ka thënë Syla për gazetën inFokus.

Sipas tij studentët të cilët janë në prag të përfundimit të mjekësisë apo edhe mjekë të sapo diplomuar veç po përgatiten që të largohen nga Kosova. Ai ka shpresë që situata të përmirësohet me ndryshimet e fundit në Ligjin për Pagat, i cili u garanton paga më të larta të punësuare në sistemin shëndetësor.

“Rritja e koeficienteve po shpresojmë qe ka me ulë numrin e të interesuarve për të shkuar jashtë vendit”, shpreson Syla.

Në bazë të Ligjit të Punës, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt të këtij viti, koeficienti i pagave të mjekëve është rritur.

Mjekët specialist ku përfshihen: ekspert i mjekësisë ligjore dhe pozita të ngjashme në shëndetësi, në institucionet shëndetësore dhe institucione të tjera ku ushtrohet profesioni përkatës, do të paguhen me koeficientin 5.00 = 1195 euro. Mjek specialist të mjekësisë familjare do të paguhen me koeficientin 4.50 =1075.5 euro.

Ndërsa mjeket në specializim, në institucionet shëndetësore dhe institucione të tjera ku ushtrohet profesioni përkatës do të paguhen 3.65 = 872.35.


Shtuar më 21/02/2019, ora 16:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori