Hoxhaj në kërkim të njohjes nga Egjipti
Egjipti pas revolucionit është shtet i ri dhe duhet të ndjekë politika të reja karshi njohjen së Kosovës. Kështu eshtë shprehur ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për gazetën Egjiptiane, “En-Nour”.

Hoxhaj ka theksur se: “Ne vihemi në pozitë të vështirë kur pyetemi se pse shtetet arabe e islamike nuk ju njohin, veçanërisht kur një pjesë shumë e madhe e shteteve nga i gjithë globi deri tani kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ajo për të cilën ndjej keqardhje është fakti se shumica e shteteve islamike e arabe nuk e kanë njohur akoma shtetin e Kosovës me popullatë shumicë myslimane. Për këtë, isha në Kajro, si mik, për të kërkuar njohjen nga Egjipti, si lidere e Botës Arabe e Islame, veçanërisht për shkak të lidhjeve historike e kulturore midis dy vendeve tona. Të gjithë e dinë se Mehmet Ali Pasha, themelues i Egjiptit modern, ka qenë shqiptar dhe ndajmë identitetin, kulturën e qytetërimin e njëjtë. Ne ndajmë aspiratat e përbashkëta për liri, demokraci e prosperitet, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy popujve”.

I pyetur për revolucionin në Egjipt, ministri Hoxhaj ka theksuar se populli i Kosovës ka simpatizuar dhe ka mbështetur Revolucionin Egjiptian që nga momenti i parë dhe i dëshiron popullit egjiptian stabilitet, zhvillim dhe prosperitet.

“Mendoj se Revolucioni ka qenë i pashmangshëm, dhe ky revolucion ka qenë i rëndësishëm për gjithë Botën Arabe. Jam i bindur se Egjipti do të ketë të ardhme të ndritur pas Revolucionit dhe Kosova e mbështet Egjiptin e popullin e saj, i cili ka luftuar njësoj si populli im për liri”, ka shtruar ai. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2011, ora 18:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori