Dyshime për një ministër të prekur me Covid-19, kabineti i Kurtit dhe Rekës në vetizolim

Për shkak të dyshimeve se një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane mund të jetë i prekur me koronavirus, pasi që i njëjti ka pasur kontakte me një të prekur me këtë virus, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me tërë stafin e kabinetit të tij janë vetizoluar pasi që kishin kontakt me këtë zyrtar në MIE-së.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka bërë të ditur se vetizolimi është bërë me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë, përderisa nuk dihet numri i saktë i anëtarëve të kabinetit që janë vetizoluar.

“2Mund të konfirmoj që bashkë me kryeministrin edhe stafi i tij i ngushtë i kabinetit të tij anë në vetizolim, mbi bazën se një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve ka pasur kontakt me një person i cili tashmë është konfirmuar me COVID-19, duke qenë se ne kemi pasur kontakt me këtë zyrtar të Ministrisë së Integrimeve Evropiane gjatë këtyre tre-katër ditëve të fundit si masë mbrojtëse kemi vendosur që të vetizolohemi dhe jemi në pritje të rezultatit të testit të zyrtarit nga Ministria e Integrimeve që pritet të publikohet sot gjatë ditës. Stafi ata të cilët kanë qenë në zyrë gjatë këtyre ditëve, stafi i kabinetit të kryeministrit, ata të cilët kanë qenë në zyrë gjatë kohës kur personi nga Ministria e Integrimeve apo zyrtari nga Ministria e Integrimeve po ashtu ka qëndruar në zyrat tona. Ata janë udhëzuar që të vetizolohen si masë parandaluese, pra kabineti i kryeministrit. Nuk mund të them në saktësi sa persona janë. Ideja është që i gjitha stafi që ka qenë gjatë këtyre ditëve në zyrë, si masë parandaluese është kërkuar vetizolim me udhëzim të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka treguar Kryeziu.

Kryeziu ka bërë të ditur për lajmi.net, se po ashtu edhe ministri në detyrë i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka së bashku me kabinetin e tij janë në vetizolim.

“Ministri sikurse edhe kabineti i tij janë në vetizolim duke qenë se ata kanë qenë në zyre gjatë kohës sa zyrtari i Ministrisë së Integrimeve po ashtu ka qenë aty. Do me thënë e gjithë kjo, pra i gjithë vendimi për vetizolim është marrë mbi dyshimin se një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve mund të jetë i infektuar duke qenë se i njëjti ka pasur një kontakt një rast i cili tashmë është i konfirmuar”, ka treguar Kryeziu për lajmi.net.

Ai thotë se janë në pritje të rezultateve të testit të këtij zyrtari të MIE-së dhe se shpreson që ai të rezultojë negativ me COVID-19.

“Momentalisht jemi në pritje të rezultateve të testit të këtij zyrtari të Ministrisë së Integrimeve. Sapo ato të publikohen ne do t’ju njoftojmë dhe në qoftë se rezultatet janë negative dhe ne urojmë që kjo të jetë kështu, ne do t’i kthemi punës normalisht, por në qoftë se rezultatet dalin pozitive, përkatësisht pozitiv atëherë sipas metodës së gjurmimit të kontakteve të gjithë ata që kanë pasur kontakte me këtë zyrtar duhet t’i nënshtrohen testimit”, theksoi Kryeziu.

Ai thotë se vetziloimi varet nga rezultati i testit që do të bëhet i ditur pasditen e sotme.

“Ne jemi në pritje të rezultatit. Dhe varësisht nga rezultati do të merren vendimet e radhës”, u shpreh Kreyziu


Shtuar 11.05.2020 14:14