Hoxhaj: Dialog për njohje
Ministri Enver Hoxhaj konsideron se dialogu politik i nisur në Bruksel do ta shtyjë Spanjën, Greqinë, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, s’ka arsye të mos ndodhë kjo, kur të normalizohen raportet Prishtinë-Beograd, çka edhe është synim i dialogut të nisur. Me këtë, nuk pajtohen analistët politikë.

Qeveria në Prishtinë po pret që dialogu politik i nisur me Serbinë dhe normalizimi i raporteve me palën serbe të ndikojë në ndryshimin e qëndrimit të pesë vendeve të BE’së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Por, analistë nuk presin që Sllovakia, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Spanja të lëvizin drejt njohjes së shtetit të Kosovës, për aq kohë sa Serbia vazhdon ta mohojë ekzistencën e shtetit kosovar.

Megjithëkëtë, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka thënë për Express, se dialogu përpos qëllimit që ka për normalizimin e raporteve me Serbinë, do të ndikojë edhe të vendet e BE-së që ta njohin Kosovën.

Ai thotë se pesë vendet e BE-së e shohin me simpati përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi.

"Ky proces është një instrument i fuqishëm që këto vende të bindin dhe ta njohin Kosovën, por në të njëjtën kohë të ketë edhe njohje të reja, meqë përmes këtij procesi Serbia për çdo ditë po krijon argumente se ka filluar ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur, të cilat bindin shtetet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën", ka thënë kryediplomati kosovar. /albeu.com/
Shtuar më 11/11/2012, ora 10:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori