Hoti për VOA: Marrëveshja ekonomike hapi i parë drejt marrëveshjes përfundimtare
Kryeministri i Kosovës, Avdullah
Hoti i tha Zërit të Amerikës pak pas nënshkrimit të
marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë se ky ishte hapi i parë drejt normalizimit të
marrëdhënieve ekonomike dhe drejt
marrëveshjes finale
Zëri i Amerikës: Kryeministër
Hoti na flisni pak për marrëveshjen që u nënshkrua dhe gjithashtu a janë cekur tema tjera sidomos politike në këtë takim.
Avdullah
Hoti: Mendoj që është një ditë e madhe, shumë e rëndësishme për Kosovën dhe regjionin. Marrëveshja ka të bëjë me normalizimin e
marrëdhënieve ekonomike në mes dy vendeve dhe me mbështetje të projekteve të mëdha infrastrukturore që i lidhin më mirë ekonomitë e dy vendeve, që krijon qasje më të mirë në rajon dhe Evropë, që krijojnë qindra mijëra vende të reja të punës në të dy vendet dhe përtej dy vendeve në mbarë regjionin. Unë dëshiroj që të falënderoj administratën amerikane për mbështetjen e fuqishme, një lajm shumë i mirë për Kosovën që është pjesë e
marrëveshjes. Unë tash sapo kreva diskutimet e nevojshme dhe presim që të marrim shpejt njohjen nga Izraeli edhe të vendosim marrëdhënie të shpejta diplomatike edhe bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve. Unë besoj që kjo është një arritje shumë e madhe me ndihmën e SHBA-së. Në këtë shtëpi tepër të rëndësishme dhe të shenjtë për Kosovën dhe shqiptarët janë arritur gjithmonë
marrëveshje të mira edhe kësaj radhe marrëveshja i hap rrugë normalizimit të plotë të
marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë deri te njohja reciproke, pra kjo është qasja që kemi ndjekur dhe na është kërkuar nga presidenti Trump dhe ekipi i tij i shkëlqyeshëm që e kanë shtyrë këtë
marrëveshje.
Zëri i Amerikës: Kur thoni që i hap rrugë, atëherë çfarë është ndryshe në anën politike sot që nuk ishte dje dhe çfarë u bë lidhur me temat e diskutuara dje për njohjen e ndërsjellë?
Avdullah
Hoti: Sot është hapi i parë drejt normalizimit të
marrëdhënieve ekonomike dhe drejt
marrëveshje finale. Kjo e sotmja nuk është
marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë. Është një
marrëveshje për bashkëpunim ekonomik për normalizim të
marrëdhënieve ekonomike në mes të vendeve, por unë e shoh dhe gjithë ne bashkë e shohim si një hap të madh duke përafruar marrëveshjen finale që është njohja reciproke. Unë e thash edhe publikisht këtë çështje, për neve nënkupton një arritje të madhe drejt finalizimit të
marrëveshjes me Serbinë.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndodhi me atë pikën që bënte fjalë për njohjen e ndërsjelltë, u la për një kohë të mëpasme, si do të vazhdojnë bisedimet?
Avdullah
Hoti: Bisedimet sigurisht do të vazhdojnë dhe të hënën do të jem në Bruksel pra në takim me presidentit Vuçiç për të diskutuar për arritjen e
marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.
Shtuar më 05/09/2020,
ora 10:17