“Mos neglizhoni simptomat e para”, mjekja tregon si agravon sëmundja nga koronavirusi

Mjekët thonë se agresiviteti i virusit kanë rënë tanimë, por në fakt kemi numër të lartë të jetëve të humbura.

Çdo 24 orë humbin jetën 5-6 pacientë të prekur nga Covid-i. Të dy spitalet Covid janë plot me pacientë që manifestojnë simptoma të moderuara deri tek rastet e rënda. Dr. Entela Ramasaco shpjegon se përveç se kanë diagnoza të tjera vijnë vonë në spital, pasi neglizhojnë simptomat e para.

“Është një sëmundje vërtet e pabesë, një sëmundje e cila mund të agravojë me orë e minuta drejt përkeqësimit nëse pacientët vijnë në stade të avancuara të prekjes pulmonare. Menaxhimi do jetë më i vështirë dhe ecuria drejt një patologjia të rëndë drejt fatalitetit, drejt formave më invazive të oksigjenimit do jetë shumë më e lartë për pacientët”.

Mjekët e familjes nuk duhen neglizhuar pasi ata kanë eksperiencë tanimë për trajtimin e një pacienti me Covid. Ndërkohë ka shumë polemika në lidhje me protokollet mjekësore që përdoren në dy spitalet Covid dhe transparencën e tyre. Dr. Ramasaco siguron se çdo gjë bëhet sipas protokolleve të OBSH-së, duke i përshtatur me kushtet e spitalit.

Mjekët u bëjnë apel të rinjve të mos neglizhojnë masat mbrojtëse pasi janë ata që po e transmetojnë virusin tek prindërit e po i sjellin në spital./TCH


Shtuar 6.09.2020 18:31