Tragjedia me nëndetësen “Titan”, familjet vajtojnë 5 milarderët që humbën jetën

Familjarët e pesë miliarderëve që ndodheshin në nëndetësen “Titan” që u zhduk në thellësitë e oqeanit Atlantik në afërsi të rrënojave të Titanikut vajtojnë pasagjerët që kanë ndërruar jetë. BBC shkruan se po bëhen homazhe në nder të pesë pasagjerëve që ndodheshin në bord.

Vdekja e tyre besohet se ka ndodhur në atë që Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka quajtur shpërthim katastrofik, duke u bazuar në mbeturinat e gjetura të nëndetëses.

Viktimat janë Hamish Harding, 58 vjeç, Shahzada Dawood, 48 vjeç dhe djali i tij Suleman Dawood, 19 vjeç, Paul-Henri Nargeolet, 77 vjeç dhe Stockton Rush, 61 vjeç.

Kundëradmirali amerikan, John Mauger, tha se koni i bishtit të nëndetëses Titan u gjet këtë mëngjes, afërsisht 1.600 metra larg harkut të rrënojave të Titanikut, drejt të cilave ishte nisur nëndedetësja.
Titan operonte në ujëra ndërkombëtare “të parregulluara”

Po ngrihen pyetje të shumta për sigurinë e zhytësve në thellësi.

Titan i OceanGate mund të mos ketë pasur nevojë të kalojë të njëjtat teste të cilave u nënshtrohen nëndetëset e tjera sepse po operonte në ujërat ndërkombëtare ku eksplorimi i detit të thellë është “i parregulluar”, tha Dr Simon Boxall, një lektor i oqeanografisë në Universitetin e Southampton.

Ka shumë pyetje se si, pse dhe kur ndodhi incidenti.

Këto janë pyetjet që do të mblidhen tani, ndërkohë që qeveritë takohen për të diskutuar për hetimin.
Roja Bregdetare tha më herët, më 22 qershor, se një copëza mbeturinash ishin zbuluar pranë rrënojave të Titanikut.

Ato i zbuloi një robot nënujor që po kërkonte nëndetësen e humbur në zonën pranë rrënojave të Titanikut.

Eksperti i zhytjes, David Mearns, mik i pasagjerëve në Titan, i tha BBC-së se copëzat e mbeturinave përfshinin “pajisjen e uljes dhe mbulesën e pasme nga nëndetësja”.

“Sapo më kanë thënë se mjetet e uljes dhe mbulesa e pasme e nëndetëses janë gjetur mes rrënojave. Kjo është një nëndetëse jo e zakonshme, ajo mbulesë e pasme ka një fund të mprehtë, ndërkaq korniza e ankorimit është ajo mbi të cilën mbështetet e gjithë nëndetësja dhe mbi të cilën ajo ulet kur prek pjesën e poshtme”, tha ai.

“Kjo do të thotë se trupi nuk është gjetur ende, por dy pjesë shumë të rëndësishme të të gjithë sistemit janë gjetur”.

Kompania Pelagic Research Services, droni nënujor i së cilës zbuloi mbeturinat pranë Titanikut, postoi në faqen e saj të internetit, më herët gjatë ditës, se ishte “përqendruar te familjet e ekuipazhit të Titanit dhe humbjen e tyre tragjike”. Por, shumë shpejt “humbja tragjike” u fshi nga faqet.

Më herët, gjatë ditës së enjte, u njoftua se kërkimet për nëndetësen kishin hyrë në fazën përfundimtare, pasi po bëheshin 96 orë, pas së cilës kohë ajo do të mbetej pa ajër për frymëmarrje për ekuipazhin e saj prej pesë personash.

Vlerësohet se nëndetësja Titan kishte rreth katër ditë furnizim me oksigjen për frymëmarrje kur u nis të dielën në mëngjes në Atlantikun verior.

Bazuar në këtë, por edhe në informatat që dha Roja Bregdetare amerikane dhe kompania që qëndron pas ekspeditës, afati i fundit për gjetjen dhe shpëtimin e nëndetëses ishte afërsisht mes orës 12:00 dhe 14:00 të ditës së sotme./albeu.com/