Çfarë do të bëjë më tej Vladimir Putini?

Nga Brian Michael Jenkins “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Do të ishte naive të imagjinohet që presidenti rus Vladimir Putin dhe gjeneralët e tij shohin hartat apo bisedojnë me kabinetin e tij duke parë slide-t në PowerPoint, dhe analizojnë  opsione të ndryshme që janë në dispozicion. I rrethuar nga oportunistë servilë, që varen nga miratimi i tij, shumëkush dyshon se Putin përbuz plotësisht ata që mban rreth vetes.

Dhe kjo tingëllon e natyrshme për të sepse ai nuk përballet me zgjedhje, me asnjë parti apo institucion shtetëror që kërcënon sundimin e tij, dhe me asnjë opozitë politike të brendshme.

Ai është Rusia. Dhe Rusia është e tija, për sa kohë që ai projekton forcën e tij dërrmuese. Objektivi i tij kryesor është shmangia e humbjes.

Sipas Ministrit të tij të Jashtëm, Putin frymëzohet nga Ivani i Tmerrshëm: Ai shkarkon gjeneralët, burgos disidentët në shtëpi, dhe helmon ata që ndodhen jashtë vendit. Asnjë udhëheqës në Perëndim nuk mund të krahasohet me kohën e qëndrimit të tij në pushtet.

Ai ka kaluar 3 presidentë në Kinë, 4 presidentë në Francë, 5 presidentë në SHBA dhe 7 kryeministra në Britaninë e Madhe. Sigurisht, jetëgjatësia në majën e pushtetit nuk e bën njeriun më të zgjuar, por, siç thotë shprehja ruse, Putini “e ka parë disa herë paradën”.

Supozimet e Putinit

Në fund Rusia do të triumfojë në këtë luftë. Putin, ashtu si një numër zyrtarësh ukrainas, beson se koha është në anën e Rusisë. Pavarësisht humbjeve të rënda të raportuara nga terreni, Rusia mund të vazhdojë të godasë qytetet e Ukrainës dhe infrastrukturën e saj, në një kohë që vazhdon të dërgojë rekrutët në betejë për të mposhtur rezistencën e Ukrainës.

Ka shumë gjasa që Putini e sheh veten si më të përkushtuar për të vazhduar luftën në Ukrainë sesa Perëndimi mbështetjen e kësaj të fundit, ndaj ai beson se Rusia do të ketë sukses. Sanksionet janë të vështira për t’u vënë në zbatim, të ngadalta në funksionim dhe akoma më të vështira për t’u mbajtur në fuqi për një kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e botës nuk do që t’i bashkohet atyre, ndërsa të tjerët do të vazhdojnë të shtiren sikur po i zbatojnë.

Përvoja mund t’i japë Putinit besimin se Rusia mund t’i përballojë me lehtësi kufizimet. Tek e fundit, deri më tani Rusia ka qenë në gjendje të gjejë blerës të gatshëm të naftës dhe gazit të saj. Vetëm Perëndimi është rreshtuar kundër Rusisë. Edhe pse nën sanksione, Rusia nuk është e izoluar.

Ajo që quhej dikur “Bota e Tretë” nuk kishte të bënte me zhvillimin ekonomik, por me pozicionin e mos-rreshtimin me Lindjen apo Perëndimin. Duke parë sot hartën e vendeve që kanë deklaruar neutralitet në garën aktuale, duket sikur “Bota e Tretë” është rikthyer si një grupim politik.

Antipatia e saj ndaj Perëndimit, dhe sidomos ndaj SHBA-së vazhdon ende. Putini e sheh Rusinë, si veten, si shumë te fortë. Ndërkaq e sheh Perëndimin si të dobët, të padisiplinuar, pa vullnet, të dhënë pas veseve, të ndarë politikisht, të ndjeshëm ndaj lodhjes së luftës dhe të frikësuar.

Ashtu si në artet marciale, njeriu nuk fiton me forcën superiore, por duke shfrytëzuar dobësitë e kundërshtarit. Është e vështirë të mbash një koalicion të bashkuar në një garë të gjerë kur armët nuk janë direkt në kokën e njerëzve. Putini është i vetëdijshëm për pikat e dobëta në aleancën e NATO-s, si dhe për rrymat e thella të simpatisë së vazhdueshme për Rusinë, si në Evropë po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Për këtë mjafton të kujtoni sesa i vështirë ishte dërgimi i vetëm disa tankeve në Ukrainë.

Objektivat e dukshme të Putinit

Rindërtimi i perandorisë së humbur Sovjetike. Kjo luftë shkon përtej ndërhyrjes ushtarake për të mbrojtur Rusinë kundër kërcënimeve të perceptuara në kufirin e saj. Rusia revanshiste e Putinit duhet që të rimarrë territorin. Megjithatë, i gjithë territori i pushtuar aktualisht nga Rusia në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji, i marrë së bashku, është afërsisht i barabartë me shtetin e Ajouas në SHBA, pra jo mjaftueshëm për ta futur në histori Putinin si “Vladimir Restauruesi”.

Ukraina është fushëbeteja kryesore. Edhe pse jo shumë në orbitën e Rusisë, Putin e sheh atë si një kërcënim dhe një strategji kyçe rajonale. Në rast se Rusia do të dominojë në Ukrainë, do të duhen pak përpjekje shtesë për të pushtuar Moldavinë dhe për ta frikësuar Gjeorgjinë që të nënshtrohet.

Edhe Bjellorusia mund të aneksohet gradualisht pa luftë. Po ashtu Armenia do të qëndrojë në një linjë me Moskën. Një fitore ruse në Ukrainë, për të cilën Perëndimi ka bërë aq shumë për t’i rezistuar, mund ta dëmtojë NATO-n. Ndërsa mund t’i nxisë disa anëtarë të aleancës që të dyfishojnë angazhimin e tyre për mbrojtjen e ndërsjellë, të tjerët mund të kërkojnë mënyra për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Për Putinin përçarja e Perëndimit, do të ishte ndreqja përfundimtare e asaj që ai e sheh si tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit XX-të, një lloj hakmarrje ndaj shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe e prishjes së aleancës së tij në Evropën Lindore. Përtej ripushtimit të territorit të humbur, Rusia duhet respektuar.

Në mendjen e Putinit, kjo do të thotë se duhet pasur edhe frikë. Rusia është shteti më i madh në botë sa i përket territorit. Ajo ka ushtrinë e pestë më të madhe në botë. Ndërkohë për nga numri i popullsisë, renditet e nënta, teksa përballet me një rënie të rëndë demografike. Ndërsa ekonomia e saj renditet e 11-ta në botë, Rusia renditet e para në armët bërthamore. Putini po e përdor luftën në Ukrainë për të luajtur me forcat e Rusisë. Kërcënimet bërthamore nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht shpërthimin e armëve bërthamore. Putin synon t’i kujtojë armiqve të Rusisë, se nuk duhen shpërfillur kërcënimet e Moskës.

Deklaratat e tij se Rusia po shqyrton përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë apo pezullimin e pjesëmarrjes në inspektimet e reduktimit të armëve bërthamore dhe vendosjen në gatishmëri të raketave bërthamore hipersonike, janë ndërthurur me paralajmërime dhe kontradikta.

Ajo synon që t`i mbajë të gjithë në akth duke hamendësuar. Ky është stili i luftës psikologjike të Putinit. Kjo qasje mund të arrijë përfitime taktike. Sipas logjikës së Putinit, bashkëpunimi i vazhdueshëm rus në kufizimin e armëve bërthamore varet nga mungesa e sulmeve brenda territorit rus.

Ndaj duhet menduar mirë sigurimi Ukrainës i avionëve F-16 ose raketave dhe dronëve me rreze më të gjatë veprimi. Megjithatë, Putini është i gatshëm të ndërmarrë rreziqe. Ai nuk është i prekur nga kriza humanitare apo se mos dënohet në Hagë. Dhe sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë rreziqe mund të jetë i gatshëm të ndërmarrë. 

 “Strategjia” e mundshme e Putinit

Vendosmëri, disiplinë dhe këmbëngulje. Strategjia e Putinit duket e drejtuar personalisht prej tij dhe synimi i saj nuk ndryshon. Në fund, Ukraina duhet të jetë ose ruse ose neutrale, por duke iu nënshtruar kufizimeve të rrepta për armët, dhe asnjëherë anëtare në NATO apo BE.

Putini po e ri-përgatit Rusinë për një lloj tjetër lufte. Duke e quajtur pushtimin e vendit fqinj një “operacion special ushtarak”, ishte një pasqyrim i historisë dhe i përvojës së Putinit në KGB. KGB-ja nuk është ushtri. Ajo nuk zhvillon luftëra. Operacioni në Ukrainë synonte të ishte një asgjësim i shpejtë udhëheqjes ukrainase, dhe jo një fushatë ushtarake.

Kur operacioni ushtarak special u shndërrua në një luftë të drejtpërdrejtë, Rusia ishte në telashe. Por Putini po i përshtatet rrethanave. Ai po mobilizon më shumë trupa, dhe po i përdor ato akoma më shumë si “mish për top”, në vend që të përmirësojë performancën në fushën e betejës.

Ai nuk po tërhiqet. Rusia duhet të shmangë luftën me NATO-n. E zënë në Ukrainë, ushtria ruse nuk i ka burimet për t’u përballur me NATO-n në një luftë konvencionale. Kalimi në një luftë bërthamore përfshin shumë rreziqe të larta. Por është gjithashtu i panevojshëm. Edhe situata në Ukrainë favorizon numrat superiorë të Rusisë. Si agresor, Putin ka iniciativën dhe mund të diktojë zhvillimet. Ai mund të rrisë intensitetin e konfliktit, ose mund ta reduktojë praninë e ushtrisë e tij. Nëse operacionet e Ukrainës do të kufizohen më tej, Rusia mund të arrijë të dominojë përfundimisht.

Putini do të kërkojë mundësinë për të provokuar kriza shpërqendruese diku tjetër. Do të ketë zbulime të komploteve dhe thashethemeve për grushte shteti (për shembull, në Ballkanin Perëndimor) për t’u bërë krye-lajm në media dhe për të tronditur kancelaritë e Perëndimit. Kjo fushatë do të synojë të shterojë vullnetin e aleancës perëndimore. Ndaj pyetja është: A do të lejojë Perëndimi që të jenë efektive taktika të tilla? /albeu.com

Shënim:Brian Michael Jenkins, këshilltar i lartë në think-tankun “RAND Corporation”

 

 


Shtuar 14.03.2023 11:15