Haziri: VV e LDK do pajtohen për presidentin, Kurti "kryeministër në ardhje"
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur para mediave pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së sot.

Ai ka treguar se në këtë takim është folur rreth mundësisë së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.

“Lidhur me zhvillimet e fundit pas thirrjes së senacës për të hënën. Në konsultimet sot të organizuara shkojnë në funksion të shterrjes së të gjitha mundësive që në bashkëpunim me partnerin e definuar tashmë Vetëvendosjen të angazhohemi bashkërisht për t’i dhënë vendit ekzekutiv, institucione funksionale dhe shpresë për qeverisje më të mirë.”, tha Haziri


Haziri më tutje është shprehur se po punohet që të arrihet marrëveshja gjatë këtyre 3 ditëve, para seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Këto konsultime të ditës së sotme janë në funksion të marrëveshjes politike me Lëvizjen Vetëvendosje sepse LDK nga fillimi e ka dhënë këtë kontribut të sinqertë në këto negociata jo të lehta. Ne kemi arritur t’i përmbyllim të gjitha çështjet që na kanë dalluar në një dokument voluminoz, që është marrëveshje politike e përgatitur”, tha më tutje Haziri.

“Jemi në përpjekje që sonte, nesër dhe pasnesër t’i realizojmë angazhimet tona të përbashkëta në ndarjen e roleve dhe përgjegjëve tona kushtetuese, duke u pajtuar që qeverinë e udhëheq LVV dhe kryeministri në ardhje Albin Kurti. Ndërsa LDK mbetet e fokusuar në përgjegjësi në këtë fazë në Kuvendin e Kosovës dhe ky është dallimi i vetëm që është mbetur të definohet”, tha Haziri duke lënë të kuptohet se kryeparlamentari është pozita e vetme për të cilën nuk janë pajtuar, ndërsa nuk ka përmendur Presidentin.
Shtuar më 31/01/2020, ora 17:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori