Haziri: Serbia fajtore, nëse dështon marrëveshja
Deputeti Lutfi Haziri konsideron se takimi i tetë mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit është shans i mirë për fillimin e normalizimit të raporteve ndërshtetërore. Ai thotë se arritja e një marrëveshjeje i hap rrugë Prishtinës dhe Beogradit për të marrë shpërblime nga BE’ja. Sipas tij, nëse takimi dështon fajtore është Serbia, e cila po e humb shansin e tretë për pajtim me Kosovën.

Takimi i së martës mes Kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç në Bruksel, po shihet si shans ideal për fillimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu konsideron Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane, nga radhët e LDK’së, Lutfi Haziri.
Në një deklaratë për Express ai tha se marrëveshja për Veriun do të duhet të arrihej para 16 prillit
kur mblidhet Këshilli i Ministrave të BE’së.

Në këtë formë sipas tij, të dyja shtetet marrin shpërblimet e tyre në procesin e integrimeve europiane.

“Ky proces është i ndërtuar në kornizën europiane, ia mundëson Serbisë me e fitu statusin e kandidatit dhe ia mundëson Kosovës me hy në negociata për MSA. Këto janë rezultatet që ne i presim, përderisa në politikën e brendshme fillon shpërbërja e strukturave paralele, që i kanë sjellë dëm serioze shtetit të Kosovës”, tha Haziri të dielën për Express.
Serbia në anën tjetër, sipas Hazirit tani e ka shansin e tretë për të pranuar realitetin në Kosovë.

“Pas refuzimit të nënshkrimit në Rambouillet dhe pranimit të Planit të Ahtisaarit në Vjenë, e ka shansin për me i dhanë imput përmirësimet të marrëdhënieve dhe akomodimit të serbëve të Kosovës në tërësi duke marrë edhe përgjegjësitë që i takojnë lidhje me shpërbërjen e strukturave paralele”, tha ai.
”Nuk besoj që dita e nesërme do të del si ditë kritike por besoj që këto janë ditë që do të duhej me i finalizu këtë kanalizimin e marrëveshjeve që e ka në agjendën nën udhëheqjen e zonjës Ashton”, shoti Haziri.
Në anën tjetër, është Beogradi zyrtar, ai i cili po kritikohet edhe nga zyrtarët europianë për hezitim në nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

Haziri e ka një shpjegim edhe për këtë hezitim.

“Vjen pas konfirmimit të takimit të z.Dacic me liderët në Moskë. Kjo është ajo që mund të jetë justifikimi që procesi të mund të zhagitet deri më 14- 15 prill”, tha deputeti nga radhët e LDK’së.

Pavarësisht kësaj, sipas Hazirit pala kosovare duhet të vazhdojë të luajë rolin e saj bashkëpunues.

“Me këtë frymë të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës , pala jonë del fituese në procesin e Brukselit ashtu qysh ka dalë fituese edhe në proces të Vjenës edhe në proces të Rambouillet”, tha Haziri.

Ai tha se barra kryesore për ndonjë dështim eventual në tërë procesin i bie Serbisë. Kjo siç tha për shkak të sjelljes së saj tashmë të ditur karshi vendimeve të mëdha ndërkombëtare.

“Ka mungesë të vendimmarrjes në finalizim të marrëveshjeve, këta e kanë dëshmua edhe ne Rambouillet edhe në Proces të Vjenës edhe tash në procesin e Brukselit pak a shumë Serbia, përkundër pritjeve shumë të mëdha e ka sjellë në nivelin e njëjtë. Me një paqartësi dhe pavendosmëri për me pranu obligime ndërkombëtare karshi Kosovës”, tha Haziri.

Ky i fundit përsëriti nevojën që cilado marrëveshje që mund të arrihet me Serbinë, pas formalizimit të saj të sillet në Kuvend për ratifikim, i cili tha se do të ndodh vetëm nëse i dokumenti i përmbahet shtatë kushteve që Kuvendi i Kosovës ia ka dhënë në mandat për bisedime Kreut të Qeverisë, Hashim Thaçi. /albeu.com/
Shtuar më 01/04/2013, ora 13:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori