“Dështimi” me Izraelin, Reja e Broja në një mendje: Luajmë vetëm një pjesë loje

Shqipëria doli pa pikë në përballjen me Izraelin në “Air Albania”, ndeshje e vlefshme për “National League”.

Pas sfidës trajneri Edi Reja, ia hodhi fajin skuadrës, duke u shprehur se nuk i kupton lojtarët si sillen në fushë.

Tekniku italian tha se nuk ka thënë asnjëherë që Shqipëria është favorite, teksa shtoi se prej tre vitesh sheh që skuadra bën ndeshje të mira, por penalizohet nga gabime të rënda, që nuk e lejojnë të bëjë atë hapin e madh përpara.

Humbja: Ka një arsye pse nuk luajtëm aq mirë në pjesën e dytë pas golit të tyre, e njëjta gjë ndodhi në Islandë. Kishte intensitet ekipi dhe ata pritën momentin për të shënuar golin e barazimit, ishin tre veta përballë dy mbrojtësve tanë. Nuk mundet kur jenë në avantazh të bësh një gabim të tillë. Ne nuk arritëm t’ja dilnim edhe në Islandë. Në të gjitha ndeshjet ka pasur një arsye pse kemi bërë gabim. Nuk e kuptoj pse duhet të bëjmë vetëm një pjesë të parë të mirë dhe të na kapin në kundërsulm kur jemi në avantazh, siç ndodhi në golin e barazimit që ishin vetëm Gjimshit dhe Veseli pas.

Pse nuk ia dalim të fitojmë? Si favoritë nuk e kam thënë, por nuk mund të themi që kemi qenë favoritë. Luajmë ndaj Islandës dhe Izraelit dhe kush e njeh futbollin e di sa skuadra të vështira janë. Kemi bërë gjithmonë gabime dhe nuk mund të bëjmë dot atë hapin përpara. Ka dy ndeshje brenda 90 minutave kur je dhe kur nuk je në avantazh, dhe ne duhet ta kuptojmë, lojtarët duhet ta kuptojnë kur është rreziku. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe jo të mendojmë se jemi favoritë.

Protagonisti i golit në ndeshjen e sotme mes Shqipërisë dhe Izraelit është shprehur mjaft i zhgënjyer pas humbjes në “Air Albania Stadium”

Armando Broja ishte autori i golit të vetëm të Shqipërisë në humbjen ndaj Izraelit, teksa ekzekutoi saktë një penallti në fundin e pjesës së parë dhe ishte rrezik konstant për mbrojtjen kundërshtare.

Në përfundim të ndeshjes sulmuesi i shpreh mjaft i zhgënjyer për humbjen, teksa pranoi se edhe vetë mund të bënte shumë më mirë, për të shfrytëzuar rastet që krijoi.

“Unë them se nuk i përballova mirë, pasi nuk fituam ndeshjen. Për sulmuesin janë të rëndësishëm golat, por jo gjithçka, pasi duhet të fitojmë. Unë shënova, por humbëm edhe shumë raste. Duhet të funksionojmë si grup dhe kur të shkojmë në avantazh, të dimë të menaxhojmë ndeshjen për të fituar.

Taktikat i vendos trajneri, që në fund shtoi sulmuesit për të provuar diçka ndryshe, pasi ishim në humbje. Është mendim i tij dhe unë nuk mund të komentoj zgjedhjet e trajnerit.

Futbolli luhet me pasa, por kur jam në fushë unë shoh gjithmonë hapësirat. Pashë një hapësirë dhe provova të shënoj, por nuk funksionon. Gabime ka patjetër dhe unë bëra gabime, por duhet të vazhdoj të provoj për t’u përmirësuar. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, duke mbajtur topin dhe krijuar raste, por në pjesën e dytë qëndruam mbrapa dhe pësuam dy gola, duke humbur ndeshjen”, u shpreh Broja.


Shtuar 11.06.2022 08:18