Haskuka bllokoi teleferikun por ende asnjë projekt zëvendësues
Qytetarët dhe vizitorët të cilët ia mësyjnë Kalasë së Prizrenit edhe më tutje duhet ngjiten në këmbë në një lartësi mbi detare prej 525 metra. Kalaja mund të jetë pikë e paarritshme për ata që nuk mund të ecin këtë rrugë gjarpërore, pasi projekti për teleferikun ende nuk është afër të realizohet.

Tenderi për ndërtimin e teleferikut për qasje në Kalanë e Prizrenit, i cili ishte hapur në muajin prill të vitit 2017 është anuluar në muajin qershor të vitit 2018. Tenderi ishte anuluar me ndërhyrjen e kryetarit Mytaher Haskuka për shkak se sipas tij ky projekt ishte në kundërshtim me tri ligje.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka kishte thënë se projekti i teleferikut për qasje në Kala është problematik për shkak se nuk është në përputhje me tri ligje: Ligjin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat.

“Projekti është anuluar në tërësi për shkak se është në kundërshtim me ligjet e përmendura dhe si i tillë ky projekt nuk mund të realizohet”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit raporton Kallxo.com.

Në përgjigjen e Komunës së Prizrenit thuhet po ashtu se nuk ka ndonjë projekt tjetër për shkak se para projektimit iu duhet studimi i fizibilitetit. Ky studim, që ende nuk është bërë, pritet të përcaktojë llojin e teleferikut për Kala, si dhe lokacionin e saktë në mënyrë që të përmbushen të gjitha kushtet dhe të mos shkelen ligjet që janë në fuqi.

“Studimin e fizibilitetit planifikojmë ta bëjmë gjatë vitit të ardhshëm dhe më pas do të shikojmë mundësitë për mënyrën më të mirë të realizimit të projektit”, vazhdon përgjigja e Komunës së Pruzrenit.

Ndërhyrja e kryetarit Haskuka për anulimin e tenderit

“Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në kalanë e Prizrenit” i iniciuar nga Komuna e Prizrenit ishte kthyer në rivlerësim pas ndërhyrjes së kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.

“Teleferiku faktikisht nuk është teleferik, por është gondolë, e cila i ka dy stacione. Njëra shkon poshtë, kurse tjetra lart dhe ka formën e hekurudhës, ku është paraparë të ketë dy stacione”, ka potencuar Haskuka.

Ai ka shpjeguar se stacioni i parë i teleferikut është paraparë të jetë 3 kate, bashkë me bodrum kurse stacioni në kala të jetë 4 kate.

Po ashtu Haskuka ka thënë se vlera e projektit është shumë e lartë, diku rreth 3.6 milionë euro.

Si problematike ai e ka konsideruar edhe bazën afër Kalasë e cila është 280 metra katrorë, por sipas Ligjit, çfarëdo ndërtimi që bëhet në Qendrën Historike të Prizrenit nuk mund të jetë më shumë se 150 metra katrorë.

“Problem tjetër është se pamja e kalasë prishet totalisht, sepse është vetëm 5 metra larg murit të Kalasë dhe ligji në fuqi thotë se nuk mund të ndërtohet 50 metra afër kalasë”, ka theksuar kryetari Haskuka.

Ai kishte thënë se përfundimisht çështja e teleferikut duhet rishqyrtuar dhe atë duhet bërë sipas nevojave të qytetarëve dhe jo sipas nevojave të disave personave që kanë pasur dëshirë për të bërë restorant pikërisht në ambientet e kalasë”, është shprehur Haskuka.

Mytaher Haskuka ka thënë se teleferiku duhet të bëhet, por duhet të jetë me gjatësi një stacion më larg kalasë, rreth vendit të quajtur “Pasha çeshme”, dhe duhet të jetë më pak i kushtueshëm.

“Duhet të jetë praktik edhe për qytetarët edhe për vetë qytetin e Prizrenit. Projekti aktual i teleferikut, nuk do t’ia rriste vlerën Prizrenit, përkundrazi, do t’ia humbte”, ka thënë Haskuka.

I pari i komunës së Prizrenit ka thënë se ky projekt nuk e ka pëlqimin e Qendrës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Këshillit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Institutit Arkeologjik dhe disa institucioneve të tjera.

Shtuar më 17/12/2018, ora 13:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori