Hashim Thaçin si do ta regjistrojë historia: si George Washingtonin apo si Esat Pashë Toptanin?
Nga Driton Tali - Ashtu sikurse "çdo dashuri e re e cila bënë që të harrohet dashuria e vjetër" edhe "çdo marrëveshje e re e zhbënë marrëveshjen e vjetër". Njashtu edhe "çdo traktat i ri e zhbën traktatin e vjetër". Ky është parim më marrëdhëniet ndërkombëtare.

Andaj, me këto negocioatat të cilat z Hashim Thaçi është duke i bërë tash e sa vjet (duke qenë i nxitur edhe nga shumë “analistë të pavarur”), negociatat e “Elefantëve të Vjenës” i harron, dhe “Planin e Ahtisarit” e zhbënë në “Ahtisari Plus”.

Thënë ndryshe më nuk kemi të bëjmë me “Dokumentin e Ahtisarit” por kemi të bëjmë me “Ahtisari Plus”.

Janë për t’u dhimbsur disa të vetquajtur “elefantë” , të cilat na “bajshin be e fe” se “Marrëveshja e Vjenës” ishte kompromisi i fundit që do t’i bëhej Serbisë. Krejt me mërrola e çallëm neve të paditurve na shpjegonin se si “për hir të pavarësisë” duhej t’i bënin ato lëshime.

Bile njëri nga “analistët më të pavarur” (i të gjitha qeverive) para disa kohe në një TV emision, e gjeti një sebep diqysh, për të apeluar në ne që “duhet kuptuar Serbinë sepse ajo kishte humbur rreth 11 mije km² territor të saj” ?! E tha aq dhimbshëm sa që për pak nuk më rrodhën lotët!

Jo që janë politikanë të këqij por edhe historian të këqij!

Interesant është me këta politikanët tanë, shumica e të cilëve janë historian me profesion (dhe pjesa tjetër dërmuese letrar - ka aty këtu edhe dikush me ndonjë profesion tjetër). Janë aq historian të këqij sa që nuk mbajnë mend as atë që ndodhi para njëzet e disa viteve!

Historianët e politikës sonë sa shpejt kanë harruar se kur u thellua kriza jugosllave, Serbia (ashtu siç bëri dhe po bënë në Kosovë) fillimisht krijonte të ashtuquajturat “Këshillat nacionale serbe” dhe “Bashkësitë e komunave serbe”, të cilat pastaj i avanconte në “Zona Autonome”. Ashtu bëri, në Kroaci, në vitin 1990, kur krijoi “Zonën Autonome Serbe të Krajinës” me kryeqytet Kninin. Po ashtu bëri edhe në Bosnjë, ku nga “Bashkësia e komunave serbe”, në vjeshtën e vitit 1991, krijoi “Zonën Autonome Serbe të Krajinës Boshnjake” me kryeqytet Banjallukën. Dhe në fazën e tretë ato territore i shpallte republika të pavarura serbe, si “Republikën e Krajinës Serbe” në Kroaci ashtu edhe “Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës”, me qëllim që pastaj t’ia bashkonte Serbisë në të ardhmen e afërt.

Deri më tani në Kosovë, Serbia (në bashkëpunim më udhëheqësit tanë) ka përfunduar fazën e krijimit të “Asociacionit të Komunave Serbe” (të dalur nga “Këshilli Nacional Serb” dhe “Kuvendi i Komunave Serbe”).

Padyshim se kjo është një fitore politike (historike) e Serbisë, për më të për nëse merret parasysh fakti se ajo ishte agresore e cila bëri gjenocid në Kosovë (por edhe gjithandej)!

Patrioti Esat Pashë Toptani

A ju kujtohet Kongresi i Pestë Zgjedhor i PDK, kur doktori i historisë z. Enver Hoxhaj (me doktoraturë të dyshimtë për plagjiaturë) me patetizëm ju drejtua të pranishmëve, për shefin e tij, me fjalët “Në SHBA e thirren si George Washingtoni i Kosovës...”

Interesant me këta historianët tanë (me kualifikime të dyshimta) si nuk e kanë mësuar se “historia nuk fal”. Shumë figura historike derisa e kishin fuqinë (si bie fjala Idi Amini, Gadafi, Sadami, Millosheviqi etj, për mos t’u fut më thellë në histori sepse këta historian dyshojë se i mbajnë mend) trajtoheshin si hero (Geroge Washingtona të vendeve tyre) por në momentin kur ata e humbën fuqinë atëherë historia ju dha vendin e merituar.

Bile, edhe Esat Pashë Toptani dikur ishte patriot e hero. Bëri punë të mira për vatan. Morri pjesë në takimin e Taksimit, në Qeverinë e Ismail Qemajl Vlorës. Madje edhe udhëhoqi vullnetarët në mbrojtjen e Shkodrës (1912-1913) ku u luftua “fyt për fyti”. Pastaj kishte edhe përkrahës të shumtë. Por historia (me plotë të drejtë) ate e njeh si tradhtar për shkak se dëmin që ai ia bani Vatanit ishte shumë më i madh se dobia që pati Vatani nga ai.

Më intereson të dijë edhe si do ta ndiejnë veten “analistët” të cilët e këshillonin (e disa besa edhe e qortonin) qeverinë që të “hartojë sa më shpejtë një strategji me të cilën do t’i joshë serbet e veriut” dhe të “bisedojnë me përfaqësuesit e tyre lokalë” ?

E di shumica nga ata nuk do ta lodhin kokën (ashtu siç nuk u lodhën kur bie fjala e këshillonin Stanishiqin ), do të na tregojnë (prej burimeve të tyre të brendshme) se si këto vendime i kanë marrë Uashingtoni e Moska dhe Prishtina s’ka mundur të bëjë asgjë!

Nëse është ashtu, atëherë pse “elefantët” tonë shkuan të negociojnë në Vjenë; pse na i shpenzuan tërë ato para; pastaj, pse na mashtruan me negociatat e dyta te Brukselit; pse Hashim Thaçi na mashtronte se “s’do të ketë negociata me Serbinë derisa ajo nuk e njeh Kosovën”?! E shumë e shumë rrena e mashtrime tjera. /albeu.com/


Shtuar më 23/06/2015, ora 16:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori