Hashim Thaçi reagon pas ratifikimit të demarkacionit
Pëlqej
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, ka uruar qytetarët duke thënë se shumë shpejtë do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Thaçi ka thënë se është koha që BE’ja t’i kryejë detyrat e saja karshi kësaj çështjeje.

“Ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore, që mbajti peng përplot tre vjet liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare. Ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin tonë”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Ky është postimi i plotë i tij:

Kosova ka humbur mjaft kohë me këtë çështje, e cila padrejtësisht ngadalësoi hapin shtetëror përpara, duke krijuar ndarje politike e shoqërore, që mbase është vështirë të kompensohen për një kohë të shkurtër. Megjithatë, votat e sotme të deputetëve në Kuvendin e Kosovës janë shpresëdhënëse se ata më s’do të ndikohen nga interesat ditore politike, por nga interesi strategjik i Kosovës.
Konsensusi i gjerë i arritur në Kuvendin e Kosovës duhet të shërbejë si platformë afatgjate e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, sidomos kur në pyetje është interesi shtetëror.

E pikërisht dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e tillë e interesit shtetëror, në të cilën ne duhet të jemi të bashkuar.
Ne i përmbushëm detyrimet tona, prandaj shumë shpejt edhe qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, sepse jam i sigurt se edhe BE-ja do t’i bëjë detyrat e saj pa humbur kohë.
Tani duhet që me hapa të përshpejtuar, duke zbatuar pakon e reformave, të krijojmë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE dhe NATO. HTH


Shtuar më 21/03/2018, ora 19:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori