Haradinaj: Zgjedhjet i fiton Vetëvendosja, me Hotin nuk flas prej muajsh
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë i ftuar në emisionin Pressing të T7, ku ka folur rreth kandidaturës së tij për president, idenë për bashkim kombëtar me Shqipërinë, incidentin e Kurtit në veri, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe për raportet me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin.

“Kërkojmë vota për Aleancën, për Grupin Parlamentar. Synojmë rritjen e numrit të deputetëve”, tha Haradinaj. Ai deklaroi se pret fitore të VV’së në zgjedhjet e 14 shkurtit. “Sa i përket garës për kryeministër besoj e dinë të gjithë që Vetëvendosja është në përparësi prej partive tjera me fitu”, theksoi Haradinaj.

“Kandidatura ime për president lidhet me rrethanat në të cilat po kalon Kosova. Por edhe me një ekuilibër të demokracisë”, shtoi ai.

Haradinaj është deklaruar edhe rreth idesë për bashkim kombëtar me Shqipërinë. Ai ka kërkuar mbështetje nga të gjitha subjektet politike që ta përkrahin në idenë e referendumit për bashkim kombëtar.

”Unë iu kam bërë thirrje partive politike ta përkrahin opsionin që, në rast se, bashkësia ndërkombëtare nuk mundet me e hjekë bllokadën, atëherë të na përkrahin referendumin”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj për incidentin e Kurtit në veri: Kur isha unë kryeministër, serbët s’guxonin të bënin ashtu

I pari i AAK’së ka komentuar edhe tentim-vizitën e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në veri.

Tha se në kohën kur ai ishte kryeministër, s’kanë ndodhur incidente të tilla në atë pjesë të Kosovës.

“Edhe Vuçiqi edhe në disa raste struktura serbe në veri ofendojnë institucionet e Kosovës. Me ju thanë të drejtën sa kam qenë unë kryetar i qeverisë s’ka guxuar me ndodh kështu. Vuçiqi ka pasur kujdes”, tha Haradinaj.

Haradinaj: Nuk jam armiqësor me aleatët, por Kosova duhet të lëvizë përpara

Kandidati për president Ramush Haradinaj thotë se Kosova duhet të shkojë përpara. Për këtë, ai ka bërë thirrje te aleatët ndërkombëtar.

“Unë jam i bindur se këshilltarët e Biden, Merkelit, Macronit duhet të bëjnë një analizë të mundësisë së epilogut Kosovë-Serbi”, thotë Haradinaj. “Ne po ju kërkojmë ndihmë aleatëve tanë që të hymë në NATO si Kosovë, me heq bllokadën që po e bën Serbia e Rusia”, shtoi ai.

“Me heq bllokadën që po na e bën pesëshja e BE’së që s’e ka njohur Kosovën. Po ju kërkojmë, po i lusim, 20 vjet kemi prit dhe po e kërkojmë të drejtën tonë të merituar në familjen e popujve OKB, NATO, BE”, theksoi Haradinaj.

“Po përfundon koha e Haradinajt dhe Limajt”, Haradinaj flet për deklaratën e Tahirit

Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e Abelart Tahirit të PDK’së, i cili tha se po përfundon koha e Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt.

“E kam shumë mik Abelardin, ka qenë ministër në qeverinë time. Nuk kam ndonjë koment. Këto janë kohë fushatash. Enveri ishte zëvendëskryeministër i imi, Abelardi ministër i imi. Unë palë e kam pasë Hashimin e Kadrinë, s’i kam pasur këta”, theksoi i pari i AAK’së. “Nuk i kuptoj as ata, nuk fitojnë vota duke u marrë me mu”, tha Haradinaj.

Haradinaj: I pata thënë Thaçit “mos ardhtë dita kurrë me ta shtru tepihun e kuq”

I pari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka kujtuar një debat që e ka bërë në të kaluarën me ish-presidentin Hashim Thaçi. Ky i fundit ndodhet në Hagë i akuzuar nga Gjykata Speciale.

“Ju kujtohet ndoshta një debat që kam pas me Thaçin në parlament. Kur ai më tha: Të kam prit me tepih të kuq kur je kthy prej Hagës por u prishëm sepse deshe postin e kryeministrit. E dini fjalimin tim: Mos më ardhtë dita me ta shtru tepihun e kuq por më ardhtë dita me marrë atë detyrë që e ki. Ky fjalim ekziston, nuk po e them sot”, tha Haradinaj. “Unë nuk jam njeri që nuk i bëj analizë situatave’, tha Haradinaj.

Haradinaj: Prej shtatorit nuk komunikoj me Avdullah Hotin

Kreu i AAK-së dhe kandidati për president, Ramush Haradinaj ka folur edhe për raportet e tij me kryeministrin në detyrë Avdullah Hotin. Haradinaj tha se nuk ka komunikuar me Hotin prej muajit shtator.

“Nuk kam komunikuar me Hotin që nga marrëveshja e Washingtonit”, ka thënë Haradinaj. “Kur janë shpallë zgjedhjet i kam shkrujt Mustafës, Hoxhajt, Kurtit e Limajt u kam thënë urime zgjedhjet”, shtoi Haradinaj gjersa u pyet se me kë e vazhdon ende komunikimin.

Haradinaj thotë se i kanë ftohur marrëdhëniet me Nismën

Haradinaj, ka deklaruar se kanë filluar të ftohin marrëdhëniet me subjektin politik Nisma Socialdemokrate. Ai tha se kanë filluar të distancohen politikisht nga ky subjekt, për shkak të, siç thotë ai, tendencave ta paraqesë AAK’në si të keqe. Megjithatë, ai e ka veçuar një nga anëtarët e këtij subjekti.

“Haxhi Shala ishte njeri i qëndrueshëm, nuk ishte njeri shkel e shko “, deklaroi Haradinaj. Partia e Haradinajt, bashkë me Nismën qeverisnin në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Shtuar më 01/02/2021, ora 08:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori