Haradinaj vendos taksë ndërsa nusja e nipit të Thaçit merr vellon nga një serb
Ditë më parë, nipi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Kushtrimi u martua me Edonën. Kjo e fundit për t’u dukur si një nga nuset më moderne, në një kohë kur u bënë shumë dasma të këngëtarëve, e për të mos mbetur nën ‘hije’, ia besoi punimin e vellos një serbi. Madje ajo kur foli për të, e tha me krenari se velloja e saj është dizajnuar nga serbi Mihailo, e madje ky i fundit i kishte bërë edhe zbritje.

Velloja iu besua një serbi nga familja e Presidentit, në një kohë kur Kosova i ka vënë taksë Serbisë për t’ia bojkotuar produktet serbe. Megjithatë edhe pse ky gjest i familjes Thaçi është kritikuar, këta të fundit nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Millaku: Thaçi çdo herë ka qenë kundër taksës

Mirëpo, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, thotë për Bota Sot se vetë Presidenti Hashim Thaçi disa herë ka qenë kundër taksës.

“Kosova ka vënë taksën, por Thaçi çdo herë ka qenë kundër taksës, andaj për të s’është asnjë problem kjo punë”, thotë deputetja Millaku.

Zogaj: Vetpërbuzje e tmerrshme dhe denigruese deri në poshtërim!

Ndërkaq, për njohësin e çështjeve politike, Skender Zogaj, është e pamundur që Presidenti Thaçi dhe familja e tij të bëjnë një veprim të tillë, që do të dërgonte deri tek një vetëpërbuzje e tmerrshme, deri në poshtërim.

“Nëse edhe vet zoti Thaçi e pohon se është e vërtetë që nusja e familjes së tyre ka zgjedhur fustan nga një dizejnator serb, unë nuk do ta pranoja si të vërtetë sepse, nuk ka asnjë mundësi që, Presidenti të mos e kuptojë se kjo do të jetë një vetëpërbuzje e tmerrshme dhe denigruese deri në poshtërim! Kaq rrëzonim Hashim Thaçi ka, prandaj them se kjo mund të jetë një sajesë për një prillin -festën e ditës së rrenave ose një dezinformatë e keqe dhe qëllimkeqe, jo vetëm për Presidentin dhe familjen e tij por edhe për shqiptarët në përgjithësi”, vlerëson analisti Zogaj.
Shtuar më 21/04/2019, ora 16:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori