Sistemi ushqimor, në krizë!

Mungesa e drithit vë në rrezik me dhjetëra miliona njerëz në botë. Lufta, moti ekstrem dhe kontrollet e eksportit po kontribuojnë në këtë gjendje, shkruan The Economist.

Në vitin 2001, babai i Olena Nazarenkos filloi të merrej me bujqësi në Lukashivka, një fshat i vogël rreth 100 km në veri të Kievit. Ai kishte vetëm tre lopë dhe një kalë të quajtur Rosa (që do të thotë “vesë” në gjuhën ukrainase).

Në vitin 2020, zonja Nazarenko dhe bashkëshorti i saj Andriy, trashëguan fermën prej 400 hektarësh, që tani mban emrin Rosa. Në fillim të këtij viti, ata morën një hua të konsiderueshme për të paguar plehrat kimike për kultivimet e ardhshme të grurit në pranverë.

Por më 9 mars, trupat ruse pushtuan fshatin dhe çifti u largua. Më 31 mars, kur pushtuesit ishin larguar, çifti u rikthye. Kthimi në shtëpi ishte i vështirë. Ndërtesa kryesore e fermës ishte shkatërruar nga një granatë. Tre traktorë ishin prishur dhe u kishte rrjedhur nafta.

Nga 117 lopët në fermë, 42 kishin ngordhur dhe pjesa tjetër qëndronin nëpër fusha të mbushura me mbeturina, mina, predha, bomba të pashpërthyera dhe kamionë të djegur. Pesëdhjetë tonë grurë, fara luledielli dhe thekër, ishin shkatërruar, duke i kushtuar çiftit me dhjetëra mijë dollarë. “Nuk kemi para”, thotë zonja Nazarenko. “Nuk kemi asgjë për të shlyer detyrimet dhe po paguajmë me vështirësi interesin e kredisë”.

Në Lukashivka dhe fshatrat përreth, me mijëra tonë drithëra janë shkatërruar ose janë lënë të kalben. Kjo vihet re edhe në të gjitha zonat e luftës të vendit. Forcat ruse kanë vënë në shënjestër fushat e grurit dhe fabrikat e plehrave kimike, duke e shkatërruar infrastrukturën.

Sasia e të korrave të drithit të vitit të kaluar që ka mbetur ende në vend, rreth 25 milionë ton, ka ngecur aty, pasi janë bllokuar portet e Odessa-s, nëpërmjet të cilave zakonisht kalojnë 98% e eksporteve të drithit. Transportimi i grurit përmes porteve alternative në Rumani, Bullgari dhe vendet baltike, është diçka e vështirë.

“Para luftës, Ukraina eksportonte rreth 5 milionë tonë drithëra në muaj”, thotë Mykola Solskiy, ministri i Bujqësisë. “Muajin e kaluar, ne arritëm të nxjerrim vetëm 1.1 milion tonë”.

Vikas Kumar Singh, fermer në Dharauli, një fshat në Uttar Pradesh, rreth 700 km në juglindje të Delhit, nuk ka pse të shqetësohet për bomba. Por edhe për të, muaji mars ka qenë i trazuar. “I nxehti erdhi shumë herët”, shpjegon ai, duke marrë një grusht gruri të korrur së fundmi, me një pamje të dëshpëruar në fytyrë.

“Shikoni, kokrrat janë më të holla se zakonisht”. Pasi u godit nga erërat e forta dhe breshëri në shkurt, rrethi Chandauli ku ndodhet fshati Dharauli, përjetoi një mot tepër të nxehtë, që tkurri kallinjtë e grurit në një periudhë kur duhej të ishin duke lulëzuar. E njëjta gjë ndodhi në pjesën më të madhe të vendit. “Gjërat janë shumë më keq në Maharashtra”, thotë Awadh Bihari Singh, i cili punon aty pranë.

Vikas Singh llogarit se rendimenti është ulur me rreth një të katërtën në krahasim me vitin e kaluar. Rrethi në tërësi ka korrur rreth një të pestën më pak grurë se në një vit normal, llogarit Awadh Singh.

Përpara valës së të nxehtit, qeveria kishte pritur me padurim që monedha indiane të forcohej nga eksportet e drithërave. Kur pritshmëritë për sasinë e të korrave ranë, monedha u zhvlerësua. Rritja e eksporteve e nxitur nga çmimet e larta jashtë vendit, shtoi shqetësimet për mungesat në vend.

Më 13 maj, qeveria indiane vendosi të ndalonte eksportin e grurit, megjithëse thotë se do të bëjë përjashtime për disa vende në nevojë; më 15 maj u raportua një marrëveshje me Egjiptin për 500,000 tonë drithëra. Aktualisht, 26 vende zbatojnë kufizime të rënda për eksportet e ushqimit. Në shumicën e rasteve, këto janë ndalime të plota. Masat e ndryshme kufizuese mbulojnë 15% të kalorive të tregtuara në mbarë botën.

Duhet një botë e tërë për të ushqyer një glob, dhe bota e realizon këtë përmes tregtisë. Sipas disa vlerësimeve, katër të pestat e popullsisë globale, jeton në vende që janë importuese neto të ushqimit. Më shumë se 20% e kalorive të botës dhe më shumë se 18% e grurit të saj, kalon të paktën një kufi në udhëtimin nga parmenda në pjatë.

Në fillim të vitit 2022, sistemi botëror i cili bën të mundur këtë, ishte tashmë në një situte të shtrënguar. Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së, numri i njerëzve që vuanin nga mungesa ushqimore deri në atë pikë sa t’u rrezikohej jeta, ishte rritur nga 108 milionë, në 193 milionë, gjatë pesë viteve të fundit.

Një pjesë e madhe e arsyes për këtë rritje të jashtëzakonshme të “pasigurisë akute ushqimore” ishte pandemia Covid-19, e cila uli të ardhurat dhe ndërpreu punën në ferma si dhe zinxhirët e furnizimit.

Një tjetër faktor ishte rritja e çmimeve të energjisë dhe transportit detar. Gjërat u përkeqësuan nga gripi i derrave në Kinë dhe një sërë korrjesh të këqija në vendet eksportuese, disa prej të cilave u shkaktuan nga La Niña që nisi në mesin e vitit 2020. La Niña është një term që u referohet rrymave të erës brenda dhe jashtë Paqësorit ekuatorial, të cilat kanë efekte mbarëbotërore.

Rezervat globale të grurit ishin pa dyshim, mjaft të larta. Por ato ishin kryesisht në duart e vendeve të pasura importuese, jo ato të eksportuesve që ishin të prirur t’i shisnin ose importuesve të varfër që mund të kishin nevojë për to. “Nëse nuk e trajtojmë situatën menjëherë, – tha David Beasley, i cili drejton WFP-në, – gjatë nëntë muajve të ardhshëm, do të ketë zi buke, destabilizim të kombeve dhe migrim masiv”.

Vetëm gjashtë ditë pasi ai tha këto fjalë, Rusia dha një tjetër goditje të madhe. Në vitin 2021, Rusia dhe Ukraina ishin përkatësisht eksportuesit e parë dhe të pestë më të mëdhenj në botë të grurit, duke transportuar secili nga 39 milionë dhe 17 milionë tonë grurë, plot 28% të tregut botëror.

Dy shtetet gjithashtu kultivojnë shumë drithëra që përdoren për të ushqyer kafshët, si misri dhe elbi, dhe janë prodhuesi numër një (Ukraina) dhe numri dy (Rusia) i farave të lulediellit, që do të thotë se përbëjnë 11.5% të tregut të vajit bimor. Ata ofrojnë pothuajse një të tetën e kalorive të tregtuara në mbarë botën.

Eksportet e ushqimit ukrainas u frenuan menjëherë nga lufta; ato ruse u dëmtuan nga efektet e sanksioneve. Çmimet e grurit u rritën. Më 16 maj, ditën e parë të tregtimit pasi India vendosi kufizimet e saj, çmimet e grurit në Çikago u rritën me 6%; më 18 maj, ishin 39% më të larta se kur Rusia nisi pushtimin.

Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) vlerëson se lufta dhe moti i keq do të ndikojnë që prodhimi global i grurit të bjerë për herë të parë në katër vjet. Më e keqja është se gruri në të vërtetë nuk tregtohet globalisht. Blerësit shpesh kanë marrëdhënie të gjata dypalëshe me eksportuesit dhe vendosin kanale tregtare që e bëjnë të vështirë ndërrimin e furnizuesve. Sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), gati 50 shtete varen nga Rusia ose Ukraina, ose nga të dyja, për më shumë se 30% të importeve të grurit; për 26 prej tyre, kjo shifër është mbi 50%.

Si u arrit deri këtu?

Vendet e Azisë Lindore si Indonezia, që importojnë shumë grurë nga Deti i Zi, mund ta zëvendësojnë pa problem grurin me oriz. Për shumicën e importuesve të tjerë të mëdhenj, ndërprerja e grurit do të përfshinte ndryshime drastike në dietë.

Shumë vende në Gjirin Persik dhe në Afrikën Veriore, konsumojnë dy herë më shumë bukë për person sesa amerikanët. Disa drithëra mund të merren nga tregjet e tjera me çmimin e duhur dhe qeveritë europiane po kërkojnë në mënyrë aktive marrëveshje: “Gjithçka është në tryezë”, thotë një prodhues i madh francez.

Pothuajse e sigurt se do të ketë mungesa

Megjithatë, është pothuajse e sigurt se do të ketë mungesa. WFP-ja, nga e cila varen më shumë se 115 milionë njerëz dhe vitin e kaluar mori 50% të grurit të saj nga Ukraina, thotë se kriza mund të shtyjë 47 milionë njerëz më shumë në pasiguri akute ushqimore.

Lufta po ndikon edhe në gjërat që u nevojiten fermerëve për të rritur ushqimin. Fermat funksionojnë me karburant. Për shkak se Rusia është eksportuesja më e madhe e gazit natyror në botë dhe eksportuesja e dytë më e madhe e naftës, çmimet e karburantit janë rritur.

Fermat gjithashtu kanë nevojë për pleh. Nga tre llojet kryesore të plehrave industriale, Rusia është një eksportuese e madhe: më e madhja për plehrat me bazë azoti, e dyta më e madhe për plehrat me bazë potasiumi dhe e treta për plehrat me bazë fosfati. Është rritur edhe çmimi i pesticideve dhe herbicideve, shpesh të prodhuara nga hidrokarburet.

Ekziston një hije tjetër që i paraprin luftës dhe që do ta zgjasë atë. Të korrat e mira kanë nevojë për mot të mirë, ose të paktën të moderuar. Ato dëmtohen nga moti ekstrem. Analiza nga firma britanike Met Office, tregon se ngrohja globale ka bërë që një valë e nxehtë ekstreme indiane si ajo e këtij viti, të jetë 100 herë më e mundshme në të ardhmen.

Përmbytja që i detyroi fermerët kinezë të vononin mbjelljen e grurit vitin e kaluar, duke reduktuar korrjen e pritshme të këtij viti, dhe nxehtësia e mëvonshme në Indi, mund të mos kenë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë.

Por kur probabiliteti i ekstremeve rritet në mbarë botën, po ashtu rritet edhe probabiliteti që rajone të shumta të vuajnë nga një lloj ekstremi ose një tjetër, në të njëjtën kohë, ose në të njëjtën kornizë kohore.

Dhe kornizat kohore kanë rëndësi. Edhe pse shumë mallra mund të prodhohen gjatë gjithë vitit, të korrat varen nga stinët. Nëse humbet afati për disa hapa të rëndësishëm, si mbjellja, plehërimi ose korrja, pjesa më e madhe e punës së një viti, mund të humbasë brenda disa javësh.

Ky është shqetësimi kur bëhet fjalë për grurin e Ukrainës. Duke qenë se është mbjellë vitin e kaluar, do të jetë gati për korrje në qershor. Zoti Solskiy pret që korrja e këtij viti të jetë 20-30% më e ulët se sa pritej.

Përafërsisht gjysma e fushave me grurë janë pjesërisht të pushtuara. Në shumë fusha ndodhen ende eksplozivë. Infrastruktura është shkatërruar. Uji, energjia dhe karburanti mungojnë.

Rendimenti në fushat që mund të korren, do të ulet me 10%. Dhe për sa kohë që Odessa është e bllokuar, të korrat nuk do të kenë rrugë për në treg. Ato as nuk mund të ruhen. Për shkak të bllokadës, gjysma e kapanoneve të vendit janë mbushur me të korrat e vitit të kaluar. Nëse eksportet përmes Detit të Zi nuk fillojnë përsëri, me miliona tonë grurë mund të kalben.

Të korrat e ardhshme

Të korrat në fushat ruse duhet të jenë në një gjendje më të mirë. Sanksionet ndërkombëtare nuk synojnë drejtpërdrejt eksportet e ushqimit dhe megjithëse e bëjnë tregtinë më të vështirë, Rusia mund të sajojë mënyra për të kapërcyer dhe për të shmangur problemet që ato krijojnë.

Megjithëse eksportet kanë rënë me disa milionë tonë, Rusia ka arritur të shesë më shumë drithëra sesa prisnin ekspertët që nga fillimi i luftës. Egjipti, Irani, Siria dhe Turqia, kanë qenë blerësit e saj kryesorë.

Pjesa tjetër e botës nuk mund ta kompensojë dot mungesën në Ukrainë. Kina ka paralajmëruar se përmbytjet e vitit të kaluar, do të bëjnë që prodhimi i grurit të mbjellë në dimër, të jetë “më i keqi në histori”. Pjesa më e madhe e kultivimeve të grurit në Amerikë, po kalojnë një thatësirë po aq të keqe sa në vitet 2012-‘13.

Rreth 40% e grurit që rritet në fushat e thara të Amerikës, u konsiderua në një gjendje të keqe ose shumë të keqe (mesatarja është 15-20%). Më 12 maj, SHBA parashikoi se prodhimi i grurit të kuq të fortë, lloji kryesor i kultivuar në rrafshnalta, do të binte me 21%, krahasuar me vitin 2021.

Europa po përjeton shumë pak shi në një moment kritik. Një shi i vonuar mund të mjaftojë për të ringjallur të korrat, por duket e sigurt se prodhimi do të jetë jashtëzakonisht i dobët këtë vit.

Ka ende stoqe në vendet eksportuese që mund të zbusin situatën. Nick Schaefer, i cili punon në Rugby, në North Dacoda, thotë se 40 deri në 50 kamionë në ditë transportojnë grurë për t’u ngarkuar në trenat që do të shkojnë në perëndim.

Normalisht, fermerët do të kishin një nxitje për të ulur rezervat para korrjes, kur çmimet zakonisht bien. Por këtë vit kjo nuk duket se ka gjasa të ndodhë. Tregjet parashikojnë që çmimet e grurit dhe të misrit të qëndrojnë në nivelet zhvatëse të sotme deri në mesin e vitit 2023. Zoti Solskiy thotë se kur të korrat të mos i ndryshojnë dot gjërat, atëherë bota do të fillojë të ndiejë ndikimin e vërtetë të krizës.

“Këtë sezon, nuk mund të përballohet dot asnjë problem moti në Hemisferën Veriore”, thotë një tregtar. Ndërsa prodhimi i Ukrainës mbetet i paarritshëm, “çdo ton në treg është i vyer”, thotë Michael Magdovitz nga Rabobank, një bankë holandeze. Ky bashkim i ngushtë i ofertës dhe kërkesës, nënkupton se çmimet do të jenë gjithashtu shumë të paqëndrueshme, duke u luhatur qoftë edhe nga lajmi më i vogël.

Po çfarë do të ndodhë me të korrat pas këtij viti? Sipas zotit Nazarenko, fillimisht duhen çrrënjosur pasojat e luftës. Ai eci nëpër fusha me një numër punonjësish, miqsh dhe të afërmish, duke hequr gëzhojat dhe disa predha të pashpërthyera, duke shënuar minat e pashpërthyera, dhe duke nxjerrë një raketë “Smerch” nga balta, e cila kishte zhytur një traktor. “Ishte e frikshme, por ne nuk kishim zgjidhje tjetër”, thotë ai.

Në fund, ai arriti të mbillte pjesën më të madhe të arave. Shumica e njerëzve nuk e kanë bërë këtë. Disave u mungojnë farat. Disa duhet të mbjellin natën për të shmangur sulmet ajrore. Disa të tjerë po mbjellin patate për konsum shtëpiak dhe jo drithëra për eksport.

Një studim i fundit nga Ministria e Bujqësisë e Ukrainës, tregon se 30-50% e fushave me grurë në vend, mund të mos jenë të përshtatshme për kultivim. Do të ketë probleme edhe me rendimentin. Plehrat kimike nuk mungojnë ende, por disa mund të ripërdoren për të prodhuar eksplozivë, si nitrati i amonit. Nafta është dyfishuar në çmim që para luftës dhe është e vështirë ta gjesh atë edhe nëse mund ta paguash. Pesticidet duket se janë të pakta.

Problemet me mungesat

Fermerët rusë nuk po përballen me problemet e bombardimeve, por edhe ata do të kenë mungesa. Fermat e mëdha të vendit, të cilat specializohen në furnizimin e tregjeve globale me grurë, kërkojnë shumë burime parësore. Vitin e kaluar, Rusia importoi pesticide me vlerë 870 milionë dollarë dhe fara me vlerë 410 milionë dollarë, kryesisht nga BE-ja.

Financimi i pakët nga bankat, problemet me pagesat dhe mungesa e transportuesve, po i bëjnë blerje të tilla shumë më të vështira. Shumica e kompanive të mëdha perëndimore të farave dhe kimikateve, janë tërhequr nga Rusia, ose janë në proces e sipër (ato kineze kanë qëndruar). Disa mund të kthehen pas përfundimit të luftës, por disa mund të vazhdojnë të qëndrojnë larg.

Plehrat kimike nuk do të mungojnë për rusët. Por do të mungojnë në shumicën e vendeve të tjera. Në vitin 2021, 25 shtete morën më shumë se 30% të plehrave të tyre kimike nga Rusia.

Në Europë, shqetësimet e sigurisë së energjisë po kufizojnë përdorimin e gazit natyror për të prodhuar plehra kimike me bazë azoti, kështu që kontinentit do t’i duhet të importojë më shumë, duke shtuar kërkesën në një treg ku çmimi i gazit natyror ka rritur tashmë kostot e shumicës së prodhuesve.

Nigeria dhe Katari, që kanë gaz natyror me bollëk, po hapin impiante të reja të azotit. Gjithashtu duket se ka hapësirë për rritjen e prodhimit të potasiumit në Kanada. Por çmimet do të mbeten të larta.

Energjia dhe plehrat kimike më të kushtueshme, rrisin çmimet në të gjitha llojet e bujqësisë. Fermerët në Chandauli thonë se çmimet e larta për plehra kimike, naftë dhe fuqi punëtore, kanë rritur kostot e tyre me 20-25% deri tani këtë vit. Dhe çmimet e grurit kanë efekte edhe në treg. Nëse kostoja e një malli rritet, konsumatorët kërkojnë alternativa.

Kjo është arsyeja pse inflacioni i çmimit të ushqimeve po vihet re edhe në mallrat që nuk ndikohen drejtpërdrejt nga lufta, thotë Seth Meyer, kryeekonomisti i SHBA-së. Treguesit e paqëndrueshmërisë së çmimeve të përpiluar nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Politikave Ushqimore në Uashington, kanë dhënë sinjalin për të gjitha drithërat kryesore, duke përfshirë, gjatë dy muajve të fundit, edhe orizin, për të cilin aktualisht nuk ka shqetësime për furnizimin.

Pa rendiment dhe pa përfitim

E gjithë kjo shërben për të zbutur një përgjigje të natyrshme ndaj çmimeve të larta të grurit: që fermerët të kultivojnë më shumë drithëra. Kur çmimet e inputeve rriten më shumë se çmimet e grurit, marzhet e fitimit të fermerëve bien. Josef Schmidhuber nga firma Fao, llogarit se çmimi i drithërave dhe i ushqimit në përgjithësi, arriti kulmin në mars 2021. Që atëherë, ai ka rënë me 27%.

Në vend që të nxitojnë për të mbjellë më shumë drithëra ngaqë çmimi i shitjes duket i lartë, fermerët duhet të kalojnë në kultivimet me kosto më të ulëta të inputeve.

Në mars, një studim nga UDSA zbuloi se shumë kultivues amerikanë synonin të kalonin nga misri te soja, këtë sezon. Çmimet e drithërave mund të rriten edhe më shumë, duke i joshur fermerët të rikthehen. Por ato gjithashtu ka të ngjarë të mbeten shumë të paqëndrueshme, duke i privuar kultivuesit nga siguria që u nevojitet për të planifikuar një zgjerim të madh.

Nëse është e vështirë të rritet oferta, atëherë pse të mos ulet kërkesa? Gro Intelligence, një firmë e të dhënave, llogarit se kaloritë e devijuara nga prodhimi aktual i biokarburanteve, së shpejti mund të jenë ekuivalente me nevojat vjetore të 1.9 miliardë njerëzve.

Prodhimi i biokarburanteve është rritur ndjeshëm në Amerikë, Brazil dhe Europë, pasi çmimi i naftës është rritur. Nafta e shtrenjtë bruto e bën sektorin më fitimprurës.

Sasia e ushqimit të ngrënë nga kafshët është edhe më e madhe. Vitin e kaluar, Kina importoi një rekord prej 28 milionë tonësh misër – më shumë se sa eksporton Ukraina në një vit – për të ushqyer tufën e saj të madhe të derrave. Rreth 40% e grurit të rritur në BE hahet nga lopët. Rreth një e treta e misrit të Amerikës hahet nga bagëtitë.

Nëse sasia e një ushqimi të tillë zvogëlohet, kafshët rriten më pak, ose më ngadalë, ose të dyja. Kjo rrit çmimin e produktit përfundimtar. Gjatë krizës së çmimeve të ushqimeve të viteve 2007-‘08, ndryshimet në ushqimin e kafshëve, së bashku me shkatërrimin dhe uljet e prodhimit, shkaktuan rritje të çmimeve të mishit dhe të qumështit.

Asnjë vend nuk është imun ndaj efekteve të kësaj krize. Fatkeqësisht, njerëzit janë të uritur edhe në ekonomitë më të pasura. Por vendet e goditura më keq, janë ato të varfra, sepse njerëzit e varfër shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për ushqim.

Në shumicën e tregjeve në zhvillim, ushqimi konsumon rreth një të katërtën e buxheteve familjare, në krahasim me më pak se një të pestën në ekonomitë e përparuara. Në Afrikën Nënsahariane, kjo shifër është 40%. Dhe gruri përbën një pjesë më të madhe të atyre buxheteve sesa në vendet më të pasura.

Shumë nga këto ekonomi ishin në gjendje të keqe edhe përpara se të godiste kriza ushqimore. Në të gjithë Afrikën Nënsahariane, prodhimi mbetet nën nivelin para-pandemik. Ngarkesat e borxhit të më shumë se gjysmës së ekonomive me të ardhura të ulëta të rajonit, janë të paqëndrueshme ose mund të bëhen të tilla së shpejti, sipas FMN-së. Qeveritë janë të pozicionuara keq për të ndihmuar qytetarët të përballojnë një tronditje të çmimit të ushqimit.

Reagimet ndaj çmimeve më të larta të ushqimeve në vendet e pasura, po i bëjnë gjërat edhe më të vështira. Çmimet e ushqimeve përbëjnë rreth 1.3 pikë përqindje të normës së inflacionit prej 8.3% në Amerikë dhe rreth 1.0 pikë përqindje të normës 7.4% në Eurozonë.

Pra, ato janë një nga faktorët që nxisin politika monetare më agresive. Normat më të larta të interesit të vendeve të pasura zhvlerësojnë monedhat dhe shtrëngojnë kushtet financiare në ekonomitë në zhvillim. Rënia e monedhave i bën importet e ushqimeve akoma më të kushtueshme.

Për të forcuar monedhat e tyre, vende të tilla duhet të rrisin normat e interesit, të ndërhyjnë me rezervat e tyre në valutë, ose pak nga të dyja. Të gjitha këto alternativa shoqërohen me kosto që mund të përkeqësojnë pasigurinë ushqimore.

Rritja e normave të interesit, në shumicën e rasteve, vetëm sa ka ngadalësuar ritmin e zhvlerësimit të monedhave dhe ka rritur koston e kredisë – gjë që i dëmton fermerët, veçanërisht kur inputet janë të shtrenjta. Përdorimi i rezervave valutore, nga ana tjetër, nënkupton se ato nuk mund të përdoren për të blerë ushqime. Zgjedhja për të mos subvencionuar ushqimin dhe për të mos mbështetur monedhën, mund të ruajë rezervat, por rrit shumë rreziqet e trazirave sociale.

Është e mundur që të ketë njëkohësisht një zhvlerësim të monedhës dhe humbje të rezervave. Egjipti vendosi të lejojë që paundi egjiptian të zhvlerësohej me 14% në mars, në vend që të zvogëlonte rezervat e tij për të ndihmuar monedhën.

Megjithatë, rezervat e vendit në valutë të fortë ranë me rreth 10%, në 37 miliardë dollarë, nga shkurti në mars. Edhe Turqia ka pësuar rënie si të rezervave, ashtu edhe të vlerës së monedhës së saj, që nga fillimi i vitit. Norma e inflacionit atje është rritur në rreth 70%. Në Iran ka pasur protesta që nga reduktimi i subvencioneve të drithërave. Problemi duket se do të përhapet.

Banka Botërore vlerëson se efektet e luftës në tregti dhe në mirëqenie, do të përbëjnë një reduktim të të ardhurave reale globale me rreth 0.74%, ose 600 miliardë dollarë. Në ekonomitë me të ardhura të ulëta, kjo shifër shkon në 1.0%, që duke pasur parasysh të ardhurat e tyre të ulëta, ajo përfaqëson rreth 5 miliardë dollarë.

Kjo shifër tingëllon mjaft e vogël. Por përqendrimi i këtyre humbjeve në vendet e rrënuara nga uria, duket se do të sjellë me vete dëme të jashtëzakonshme sociale, politike dhe njerëzore./ Monitor