Sherr mes fqinjësh, italiani vret me çifte gjahu shqiptarin

Një 57-vjeçar me origjinë shqiptare është qëlluar me armë zjarri nga fqinji i tij në Itali. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 5 janarit në zonën e Arezzos në Itali.

Sakaq vrasja është bërë e ditur për mediet ditën e sotme. Siç raportojnë mediet vendase çdo gjë ka nisur nga një konflikti për çështje pronësore që shqiptari fatkeq kishte me fqinjin e tij Italian.

Edhe pse zyrtarisht nuk janë dhënë informacione mbi identitetin e personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë, mediat lokale kanë përcjellë disa të dhëna nga vendi i krimit.

Policia dhe prokuroria lokale ende nuk kanë hedhur dritë mbi shkaqet reale, ndërkohë që shqiptari dhe italiani kanë qenë fqinj dhe miq.

Rindërtimi paraprak i ngjarjes nga karabinierët tregon vetëm pak nga dinamika e saj: sipas tyre, italiani 53-vjeçar kur ka parë fadromën, është afruar tek dritarja e shtëpisë së tij dhe ka shtënë pesë herë me një çifte gjahu, për të cilën kishte leje të rregullt. Katër nga plumbat kanë goditur shqiptarin, duke i marrë jetën.
Nuk dihet se si u përshkallëzua deri në këtë pikë sherri mes tyre, por aktualisht po verifikohen kamerat e sigurisë e po merren dëshmitë mbi aktin e rëndë ndërkohë që autori i vrasjes është vënë në pranga.

Për momentin duket vetëm se viktima kishte dëmtuar me ekskavator 4 makina të parkuara, që të gjitha në pronësi të të afërmve të të arrestuarit, dhe kishte goditur disa herë me ruspë muret dhe çatinë e shtëpisë, brenda së cilës ndodheshin dhe familjarë të 53-vjeçarit italian, që ishin mbledhur së bashku për të festuar vigjiljen e Epifanisë.
I arrestuari është dërguar në burgun e Arezzos, ndërkohë që ka pranuar krimin./albeu.com.