Haradinaj tregon kur do të liberalizohen vizat
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se vizat për kosovarët mund të hiqen brenda 3 muajve.

Haradinaj këtë e ka thënë në Kuvend, pasi deputeti i VV-së, Dardan Molliqaj, e ka pyetur kryeministrin se çka do të bëjë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa viza.

“Kam marrë edhe një shkrim lidhur me këtë pyetje dhe kështu është gjendja. Kufiri është në Çakorr dhe Kullë, është dhe do të mbetet.

Është temë që Kosova e di, duhet një Komision i ri t’i kryejë procedurat që i takojnë të vërtetojë.

Liberalizimi i vizave është temë që është ndërlidhur përpos reformave në rend dhe ligj në qasjen e korrupsionit, dhe ato administrative në MSA, që janë nxjerrë në agjendën reformuese evropiane, ka 22 veprime", tha Haradinaj.

"Ne mund të jemi më vonë me demarkacionin, pra mund të vonohemi për shkak se Kosova si ka versionet tashmë. Kjo temë mund të çalojë por është në proces, është operacionale që ende në afat të tillë kohor pritet të vijë përgjigja për liberalizimin.

Kemi bërë përpjekje që në këtë kohë puna të fillojë edhe nga ne edhe nga agjencia evropiane dhe nga Kosova e ministrja e Integrimeve, punë këto të cilat janë intensive dhe në zbatim. Po përdorim formulën e zbatimit të tyre.

Nëse duhet të kërkohet falje për një të paarritur edhe e bëj, por ende mbaj shpresë që do marrim lajmin e duhur”, deklaroi kryeministri.

Ndërkohë, derisa Haradinaj fliste, në foltore të Kuvendit, është ndalur rryma në sallë për pak minuta.


Shtuar më 03/10/2017, ora 11:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori