Haradinaj thotë se Samiti i Berlinit ka ndryshuar dinamikën e ngjarjeve
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mendon se këtë radhë, në frymën e Samitit të Berlinit ka ndryshim.

“E kanë ndërruar dinamikën, – është shprehur ai. – Është një energji e re që po vjen në prag të këtij takimi”.

Për kreun e ekzekutivit kosovar, marrëveshja me Serbinë duhet të bëhet sidoqoftë vetëm me njohje reciproke dhe me rivendosjen e raporteve ekonomike.

Sipas tij, vetëm pajtimi me Serbinë është kompromis për Kosovën.

“Unë kam bërë thirrje që pajtimi të ndodhë, e pajtimi është njohja reciproke me kufijtë ekzistues dhe rivendosja e raporteve ekonomike”, ka qenë komenti i kreut të ekzekutivit kosovar.

Pavarësisht toneve të lehta të optimizmit të Haradinajt, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk presin që takimi i shumëdiskutuar i Berlinit të prodhojë një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Thaçi i hodhi poshtë në këtë mënyrë spekulimet e disa medieve kosovare e serbe, sipas të cilave, përpara takimit të thirrur nga Angela Merkel dhe Emmanuel Macron “po zhvillohen biseda të fshehta”, me synim arritjen e një pakti të tillë.
Shtuar më 18/04/2019, ora 14:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori