Haradinaj: S'ka zgjidhje magjike për shëndetësinë
Është përgjegjësi e secilit prej nesh që t’i krijojmë zgjidhjet në vendin tonë, në mënyrë që të trajtohemi si duhet në vendin tonë.

Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit, që u organizua nga Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë, me temën: “Mbulimi shëndetësor i përgjithshëm: për të gjithë, kudo”.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast tha se tema mbi shëndetësinë është me rëndësi të madhe dhe duhet trajtuar në përmbajtje, në mënyrë që problemet tjera të dalin në dritë.

“Edhe pse kemi ndarë 20 milionë buxhet shtesë për shëndetësinë, prapë kjo nuk është zgjidhja magjike”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar situatat nëpër të cilat kalon sektori i shëndetësisë, kryeministri Haradinaj përmendi disa si më të rëndësishmet, atë nëpër të cilën përballen mjekët dhe personeli teknik, për të cilët tha se janë heronjtë e këtij vendi; situata tjetër është se infrastruktura në shëndetësi është e vjetër dhe mungojnë gjërat elementare, mungojnë barërat, lista e gjatë e pritjeve të pacientëve e shumë të tjera.

“Por, tani e shoh një seriozitet në përballje me gjendjen në shëndetësi dhe ftoj të gjithë partnerët edhe ata vendorë edhe ndërkombëtarë, që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se shëndeti është yni, i njerëzve tanë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se në Ministrinë e Shëndetësisë është rritur niveli i llogaridhënies, është përmirësuar menaxhimi i Shërbimit Spitalor Universitar Klinik të Kosovës dhe është duke u punuar në rregullimin e sektorit farmaceutik.


Shtuar më 20/04/2018, ora 11:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori