Haradinaj: Protesta do të jetë madhështore edhe pa Vetëvendosjen
Ramush Haradinaj
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka siguruar se protesta e 14 majit do të jetë madhështore dhe e fuqishme edhe nëse nuk merr pjesë Vetëvendosje.

“Po, protesta e 14 majit do të jetë më e madhja deri më tani”, është shprehur Haradinaj për Botapress.
Partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA deri më tani kanë protestuar bashkë, por me 14 maj gjërat do të ndryshojnë.

VV zyrtarisht ka paralajmëruar se nuk do të jetë pjesëmarrëse në protestën e organizuar nga AAK-ja dhe Nisma për shkak se sipas tyre kjo protestë është organizuar pa u konsultuar me ata si parti më e madhe opozitare.

Por pse u përçanë partitë opozitare? A ishte kjo protestë një arsye për prishje të bllokut opozitar?

Botapress, ka kontaktuar zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës të cilët kanë thënë së protesta do të jetë më madhështore dhe krejt paqësore, për shkak se nuk do të merr pjesë Vetëvendosje, shkruan Telegraf.

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka bërë të ditur se qytetarët pa ngjyrime politike çdo ditë e më shumë po e vërtetojnë se do të ketë një protestë të fuqishme.

“Gjithsesi do të jetë një protestë shumë e fuqishme, ketë çdo ditë po na e vërtetojnë qytetarët e shumë edhe pa ngjyrime politike. Protesta do të jetë paqësore e cila është kërkesë edhe shumë qytetarëve në vazhdimësi” , deklaroi Haxhiu.

Ndërkohë edhe deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj u shpreh se në protestën e 14 majit do të marrin pjesë edhe gra e fëmijë e që do të thotë se pjesëmarrja e protestuesve do të jetë masive.

“Ne kemi çdo ditë takime mobilizuese anë e mbanë Kosovës, ku në të gjitha këto takimet po shihet një klimë e mirë për protestë. Të gjithë po e shfaqin gatishmërinë që të marrin pjesë në mënyrë masovike. Do të marrin pjesë me gra e me fëmijë. Pasi që Vetëvendosje nuk është pjesëmarrëse po dihet se protesta do të jetë paqësore, deklaroi Brahimaj për Botapress i cili ka ftuar të gjithë qytetarët për protestë duke i siguruar se gjithçka do të jetë e qetë dhe paqësisht.

Edhe Bilall Sherifi nga Nisma ka treguar se po angazhohen për një protestë masive.

“Ne jemi duke u angazhuar në terren që protesta të jetë dinjitoze dhe masive. Besojmë që përderisa arsyet për protestë nuk kanë pushuar dhe qytetarët do t’i përgjigjen në mënyrë masive” tha Sherifi./Albeu.com/
Shtuar më 11/05/2016, ora 10:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori