I doli emri në përgjimet e SPAK, reagon ashpër mjeku Aurel Vula: Kemi humbur një jetë!

Mjeku pediatër Aurel Vula, emri i të cilit u përmend në dosjen e SPAK, për trafikimin e ilaçeve në rrugë kontrabandë nga Italia, dhe lëshimin e recetave fiktive, ka reaguar pas akuzave të ngritura ndaj tij.

Vula ka mohuar akuzat, duke u shprehur se në Itali ai ka qenë për vizitat e familjarëve të tyre, ku sipas të cilit, njëri prej tyre humbi jetën.

Kujtojmë se ai është bashkëshorti i juristes së njohur Zhaklina Peto, e cila ka qenë edhe kandidate për në Gjykatën Kushtetuese.

Deklarata e tij e plotë:

Duke marrë shkas nga njoftimi i bërë publik ditët e fundit nga autoritetet e drejtësisë italiane dëshiroj t’i bëj të ditur publikut shqiptar si vijon: Përfshirja e personit tim dhe familjarëve të mi në këtë njoftim nuk ka asnjë lidhje me realitetin e ndërtuar në media këto ditë.

Për të qënë transparent, arsyet e vizitave tona familjare në Itali kanë qënë krejtësisht shëndetësore, të lidhura me rrezikimin e jetës së dy prindërve të bashkëshortes sime. Të dy këta të fundit i janë nënshtruar ndërhyrjeve të përsëritura kirurgjikale në zemër nga ku nëna e bashkëshortes humbi edhe jetën.

Të gjitha këto ngjarje shëndetësore janë të dokumentuara nga autoritetet spitalore italiane. Nisur nga drama familiare për humbjen e njëriut të afërt, kjo ngjarje krijon sensitivitet të lartë për mua dhe familiarët e mi.

Unë jam mjek pediatër dhe me përgjegjshmëri të plotë deklaroj se në asnjë moment:

➢ Nuk kam lëshuar asnjë çertifikatë apo epikrizë përcjellëse për pacientë të sugjeruar për shtrim në Itali;

➢ Nuk kam lëshuar asnjë dokument të çfarëdolloj natyre që të mund të lehtësonte procedurat e kalimit të kufirit të shtetasve shqiptarë gjatë kohës së pandemisë në shtetin Italian; I lutem të gjitha mediave të respektojnë integritetin tim profesional dhe moral të cilin e kam ndertuar me përkushtim dhe sakrifica në çdo kohë në ndihmë të çdo pacienti, pa lënë mënjanë kontributin gjatë periudhes së pandemisë si pasojë e Sars-Cov 19.

Në të njëjtën kohë, falenderoj të gjithë dashamirësit të afërm , kolegë dhe pacientët e mi për mbështetjen e treguar me anë të mesazheve dhe telefonatave të panumërta gjatë këtyre ditëve.

Me besimin e plotë tek drejtësia.

Dy ditë më parë në lidhje me dosjen e SPAK, reagoi dhe mjeku tjetër i njohur, Edvin Prifti, i cili po ashtu tha se përfshirja e pretenduar e tij ishte një sajesë, dhe se ai nuk ka firmosur asnjë rekomandim  për kurim në Itali, apo për marrjen e medikamenteve.