Haradinaj: Problem Serbia, ekstremizmi fetar, krimi dhe korrupsioni
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë ka theksuar se viti 2014 ka qenë mjaft sfidues për qytetarin e Kosovës pasi, sipas tij, kosovarët janë ballafaquar me probleme që e kanë vështirësuar jetën e tyre.

“Një situatë e tillë, e grumbullimit të problemeve, na ka çuar si vend në një traumë ekonomike, në të cilën kanë ndikuar edhe ngjarjet politike (“ngërçi”), por edhe mungesa e investimeve të huaja. Vonesa në ndërtimin ë institucioneve po ashtu ka patur efekt në atë sesi është zhvilluar jeta në Kosovë. Së fundmi, edhe mënyra sesi u krijuan institucionet e reja ka qenë lajm aspak shpresëdhënës për kosovarët”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, viti që po e lëmë, përveç se nuk është i suksesshëm, nuk ka dhënë shpresë se 2015-ta do të sjellë zhvillime pozitive.

“Shkurt e shqip, 2014-ta ka qenë një vit i rëndë për Kosovën”, ka shtuar ai.

“Meritor” për problemet më të cilat ballafaqohen qytetarët (papunësia e lartë, mungesa e perspektivës dhe ikja e kosovarëve drejt vendeve të BE-së) e konsideron qeverinë e Kosovës, duke shtuar se ekzekutivi e ka obligim qe të merret me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët.

“Mungesa e një perspektive për një jetë më të mirë, i shumëfishon pengesat edhe dëmet qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.

I pari i AAK-së ka theksuar se qytetarët duhet t’i rivlerësojnë politikanët e Kosovës - punën dhe angazhimin e tyre - duke shtuar se qytetarët kur e përkrahin një opsion të caktuar politik, duhet të vlerësojnë se çfarë do të përmirësohet në jetën dhe përditshmërinë e tyre.

“Qytetarët pasivë krijojnë një politikë pasive. Një politikë pasive, në vendet e zhvilluara, nuk i jep efektet negative menjëherë, por te ne kjo sjell dëme të mëdha”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij, ndonëse ekstremizmi fetar dhe Serbia paraqesin problem për vendin tonë, problem madhor për Kosovën është korrupsioni dhe ajo që ai e quan “qeverisje pasive, pa plane konkrete zhvillimore”.

“Nuk është lehtë të qeveriset me Kosovën, sepse ka pasur ndërprerje të jetës institucionale gjatë periudhës 1990-1999. Pastaj jemi ballafaquar me një luftë që e ka shkatërruar vendin. Kemi një ekonomi me një gjendje jo të mirë, ku sektori privat vepron në ambient aspak miqësor, e mos të flasim për ata qytetarë që kërkojnë një vend pune. Ne ballafaqohemi me një gjendje të cilën unë shpesh e quaj emergjente”, tha Haradinaj për Telegrafin.

Shefi i AAK-së thekson se Kosova do ta gjejë drejtimin e saj, duke shtuar se “në një vend që ka kaq shumë papunësi dhe ka kaq shumë probleme bazike, duhen ndryshime thelbësore në mentalitetin qeverisës”.

“Në krye të qeverisë duhet të vijnë njerëz që kanë projekte konkrete për ta nxjerrë vendin nga kjo humnerë, që janë ambicioz dhe që luftojnë që t’i realizojnë planet qeverisëse. Nuk mendoj se ekipi i sotëm qeverisëse do të japë një rezultat të mirë”, tha ai.

Haradinaj duke folur për “spastrimet” brenda partisë se tij, ka theksuar se Aleanca si parti, “ndonëse brenda mund të kenë patur individë që kanë probleme me ligjin”, ka një strukturë “të njerëzve të ndershëm dhe punëtorë që angazhohen vazhdimisht për ta ndihmuar partinë në rrugëtimin e saj”.

“Nuk do të kemi tolerancë ndaj asnjë individi që është shkelës i ligjit, e që bie ndesh me vlerat që ne nesër në qeverisje do t’i aplikonim. Shumica e njerëzve në AAK i janë gëzuar vendimit për reformim. Ata e kanë shprehur hapur kënaqësinë e tyre në lidhje me vendimet e fundit”, ka deklaruar ai.

Shefi i AAK-së ka sqaruar se në muajin janar AAK-ja e fillon procesin e brendshëm zgjedhor, proces në të cilin ata, sipas tij, do të veprojnë me kujdes, duke mos bërë veprime “vetëm sa për të thënë reformë”.

Haradinaj thekson se nuk angazhohet që qytetarëve t’ju sqarojë se “AAK-ja nuk është parti e njerëzve të inkriminuar”, mirëpo synon që kosovarëve t’jua sqarojë të vërtetën rreth shumë spekulimeve të cilat kanë ardhur në adresë të shtëpisë së tij politike.

“Nganjëherë imazhi vjen para të vërtetës ose pas të vërtetës. Mirëpo, unë e kam për detyrë që ta sqarojë të vërtetën, për mua dhe AAK-në”, ka theksuar Haradinaj.
Sipas tij, sfidat e vitit 2015, me të cilën do të ballafaqohen kosovarët, nuk do të jenë aspak të lehta.

“Qeveria e sotme po lëvdohet se po e ruan stabilitetin financiar. Si mund të deklarohet kështu kur ne nuk vend stabil në aspektin financiar. Për të arritur një stabilitet financiar duhet që minimalisht të kemi rritje të pagave prej 10 për qind. Nuk duhet të tolerojmë një gjendje të tillë, por të punojmë që ta ndryshojmë këtë situatë. Këtu mund të kontribuojë shoqëria civile, qytetarët, mediat. Duhet përfundimisht të zgjedhin se a duam të pajtohemi apo ta ndryshojmë këtë degradim të institucioneve dhe vendit. Besoj se në Kosovë ka energji për ta ndryshuar këtë gjendje”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së beson se shoqëria kosovare do ta gjejë mënyrën për daljen nga kjo katrahurë.

Ndërsa, uron që viti 2015 qytetarëve të Kosovës t’ju sjellë shëndet dhe suksese.

“Urimet e mija për mbarësi dhe suksese shkojnë për shqiptarët kudo që ndodhen, por edhe për miqtë tanë ndërkombëtar”, ka shtuar Haradinaj./albeu.com/

Shtuar më 02/01/2015, ora 11:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori