Haradinaj përgjigjet përmes Shalës: Taksa nuk hiqet
Pavarësisht reagimit të ashpër të SHBA-së dhe paralajmërimit për heqjen e taksës Qeveria e Kosovës nuk pritet të heqë dorë nga vendimi që ka marrë para më shumë se një muaji.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka pohuar se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi.

“Qëndroj mbrapa deklaratave të cilat veçse i kam thënë. Përderisa nuk eliminohen arsyet të cilat neve si Qeveri e Republikës së Kosovës na kanë shtyrë që ta marrim një vendim të tillë ky vendim do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Derisa vazhdojnë të jenë në fuqi këto arsye unë jam i mendimit dhe jam i bindur që një vendim i tillë, një masë e tillë duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë, edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme ka përsëritur se tarifa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet pa pasur fillimisht një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Nëse Serbia dëshiron që ne ta suspendojmë taksën, kjo është reciprocitet. Pra nuk ka veprime ‘ne hapim’ derën e andej ka barrikada e agresivitet, nuk ka ashtu. Ne s’kemi urrejtje ndaj asnjë vendi në botë, por ne do ta mbrojmë veten. Nëse Vuçiqi e Daçiqi thonë ‘nuk ju njohim’, çka po presin prej neve? Që ne të themi ‘po e heqim a’? Jo, kurrë, s’e heqim kurrë”, tha kryeministri.
Shtuar më 26/01/2019, ora 15:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori