Zaevit i vendosin ultimatum për dorëheqje, analistët paralajmërojnë zgjedhje të parakohshme

Ose dorëheqje e kryeministrit ose interpelancë për qeverinë: VMRO DPMNE-ja vjen të hënën me një ultimatum të ri për kryeministrin Zoran Zaev, i cili vazhdon të heshtë.

Nëse të hënën deri në orën 14.30 nuk e dorëzon dorëheqjen, qeverisë do t’i iniciohet mocion votëbesimi, ky është ultimatumi që VMRO DPMNE-ja dha të hënën për kryeministrin Zoran Zaev. Kreu i opozitës, Hristijan Mickoski i beson 61 deputetëve të firmosur në nismën për shumicë të re parlamentare. “Do të jem preciz, deri ora 14:30 do ta dorëzojmë nismën për mocion votëbesimi ndaj kësaj Qeverie, derisa paraprakisht Zaev nuk e mban premtimin e tij për dorëheqje të parevokueshme”, ka deklaruar Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.Mickoski thotë se dyshon në sinqeritetin e Zaev për dorëheqjen, duke shtuar se për shumicën e re nuk duhet shpejtuar.

“Ta kryejmë njëherë punën e parë, të shkelim në shkallën e parë e pastaj të hapërojmë hap pas hapi. Ta kryejmë punën e parë dhe pastaj pasojnë procedurat, ligjet, ka Kushtetutë, e cila duhet respektuar. Nuk varet nga ne, por nga ai i cili duhet ta respektojë Kushtetutën, ta ndajë mandatin dhe të nisin procedurat. Por pres që si fillim Zaev ta mbajë premtimin që e ka dhënë, edhe pse personalisht nuk e pres një gjë të tillë”, vlerëson Mickoski.

Ai ka hedhur poshtë dhe i ka cilësuar si spekulime informacionet se deputetë të caktuar mund të tërhiqen nga firmat e dhëna për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas Rregullores së Kuvendit, propozimi për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë vendoset në seancë plenare në ditën e tretë pas dorëzimit në Kuvend.

Vazhdon heshtja e Zaevit

Kryeministri Zoran Zaev ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni kryeministër në Kuvend, të cilën e paralajmëroi menjëherë natën e zgjedhjeve lokale kur partia e tij LSDM pësoi humbje të madhe. Nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE po e tregon fytyrën e regjimit ende pa ardhur në pushtet. Në ditët e para të mandatit, kryetarët e komunës së Mickoskit treguan fytyrën e vërtetë të regjimit duke lalguar njerëzit nga puna. VMRO-DPMNE tjetër gjë thotë e tjetër gjë bën, thuhet nga partia qeverisëse, LSDM.

Ahmeti: Do të bisedojmë me të gjithë, por jo me ata që kanë filozofi antishqiptare

Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së ka diskutuar zhvillimet e fundit në skenën politike të krijuara pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev dhe paralajmërimeve të opozitës për një shumicë të re parlamentare.

“Unë jam në bisedime me të gjitha palët të cilat kanë për orientim qasjen euroatlantike, por jo me partitë që kanë prioritet filozofinë anti-NATO, filozofinë anti-amerikane, filozofinë anti-europiane, filozofinë anti-shqiptare, me këto s’kemi dhe s’do kemi asnjë komunikim”, ka deklaruar Ahmeti.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani ka thënë se e kanë autorizuar kreun e partisë që të bisedojë me të gjitha palët për të tejkaluar këtë krizë. Osmani ka thënë se në tavolinë është edhe opsioni për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Duke komentuar zhvillimet e fundit rreth formimit të shumicës së re parlamentare, Osmani ka hedhur poshtë zërat se deputetë të partisë së tij mund t’i bashkëngjiten kësaj shumice.

Analistët paralajmërojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se partia VMRO-DPMNE ka ndryshuar në raport me shqiptarët pas një reformimi të brendshëm. “VMRO-DMNE në vitin 2018 pati një proces të reformimit të brendshëm, disa fraksione të kësaj partie që njiheshin për retorikën e tyre anti-shqiptare dhe anti-perëndimore u larguan nga kjo parti. VMRO tani nuk ka më problem as me shqiptarët dhe as me ndërkombëtarët. Që ka sjell në atë situatë që VMRO-DMNE të ketë një kapacitet më të madh koalicionues me partitë shqiptare sesa LSDM-ja”, thekson Neziri.

Eksperti për çështjet politike, prof. Jeton Shasivari sheh si përgjegjës për situatën e krijuar politike kryeministrin e dorëhequr, Zoran Zaev, i cili nuk i ruajti marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit, që i mbajti peng me dorëheqjen e paralajmëruar. “Tani gjithçka varet nga shumica parlamentare, për zgjidhjen e situatës ka disa opsione-  konstatimi i dorëheqjes së Zaevit, votimi i mosbesimit ndaj Qeverisë, shpërbërja e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thotë Shasivari.

Kurse prof. Gjorgi Tonovski thotë se dorëheqja e Zaevit i dha mundësi opozitës për realizimin e oreksit të luftës për pushtet. Situatën politike në vend Tonovski e vlerëson si  katastrofale, sepse sipas tij vendi po përballet me krizë energjetike, pandemi, papunësi, shpërngulje dhe në horizont janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dhe procese të formimit të qeverisë, që mund të zgjasë shumë. “Mendoj se është më mirë dhe më efikase që shpejt të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të fillohet me një Qeveri serioze, njerëz serioz ta marrin përgjegjësinë për zhvillimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë”, është i mendimit Gjorgji Tonovski. /DW


Shtuar 8.11.2021 16:00