Haradinaj: Nuk e lexova intervistën por e dua Thaçin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka pranuar të komentojë deklarimet e bëra nga presidenti Thaçi në ‘Washington Post’ rreth mundësisë së heqjes së taksës ndaj produkteve serbe, megjithatë ka ironizuar duke thënë se Qeveria e do presidentin.

Haradinaj i është shmangur pyetjes për deklarimet e Thaçit për taksën, duke thënë se nuk e ka lexuar fare intervistën.

“Për presidentin më keni nxënë ngushtë, se si kam pa këto intervista. E kam pa që edhe klani e ka pas. Nuk i kam pa, nuk kam koment. Na e duam shumë presidentin, na jemi Qeveria, i kryejmë punët tona”, ka thënë kreu i ekzekutivit pas një takimi që ka pasur me ministrin e Tregtisë, Endrit Shalën.

Edhe përkundër këtyre deklarimeve, Haradinaj ka treguar se nuk e ka ndërmend të lëshoj pe për taksën.

Ai ka thënë se janë ne gjendje ta heqin atë sot, nëse Serbia e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Taksa është vendim i qeverisë. Është vendim legjitim i vendit. Jemi të interesuar me e hjek sot, Sot e hjekim nëse na njeh Serbia”, ka kreu i AAK-së.

Ndërkohë as Haradinaj e as Shala nuk kanë pranuar të flasin kur janë pyetur nëse ky takim është bërë si kundërpërgjigje për deklarimet e Hashim Thaçit për heqjen e taksës.

Haradinaj në këtë konferencë ndër të tjera ka folur edhe për mundësinë e shkarkimit të Nenad Rikallos.

“Kur ti vjen reni edhe atij, pse jo”, ka thënë ai.

Ndërkohë kërkesat e minatorëve të Trepçës i ka quajtur si legjitime, dhe ka thënë se shpreson që brenda këtij viti do të rregullohet gjithçka sa i përket Trepçës.

Ky takim ndërjmet Haradinajt dhe Shalës është mbajtur për të diskutuar rreth disa investimeve miliardëshe që pritet të ndodhin në Kosovë nga disa investitorë strategjik.

Haradinaj e Thaçi përveç taksës, janë përplasur disa herë edhe për idenë e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Derisa Thaçi e promovonte këtë ide, Haradinaj thoshte se një nismë e tillë do të thotë luftë.


Shtuar më 08/01/2019, ora 16:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori