Haradinaj: Një diplomat i huaj më lajmëroi për rrëmbimin e mësuesëve
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se për rrëmbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova në mars të këtij viti, ishte njoftuar nga një diplomat i huaj.

Gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për hetimin e këtij deportimi, Haradinaj tha se ka qenë në një takim kur një diplomat i huaj, të cilit ai nuk ia përmendi emrin, e kishte njoftuar për këtë rrëmbim.

Ai tha se informatën e ka marrë “diku mes orës 11 dhe 12” në ditën e deportimit, ndërsa aeroplani me shtetasit turq ishte larguar nga Aeroporti i Prishtinës para orës 11:00.

Në një ditë me Haradinajn ishte planifikuar që të intervistohet edhe presidenti Hashim Thaçi por kryetari i këtij Komisioni Xhelal Sveçla tha se nga ana e presidentit nuk kanë marrë asnjë përgjigje në lidhje me raportimin e tij.

Presidenti është tash e disa ditë në një vizitë në ShBA. Anëtari i Komisionit Muharrem Nitaj (AAK) tha se pjesa e intervistimit të presidentit mbetet në ditët e radhës.


Shtuar më 30/11/2018, ora 11:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori