Haradinaj mesazh nga Franca: Kosova është në gjendje të rëndë
Pëlqej
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përcjellur një mesazh nga Franca gjatë një interviste për gazetën "Epoka e re".

Haradinaj beson se vetëm zgjedhjet e reja mund ta riparojnë gjendjen aktuale në vend dhe se gjendja po rëndohet çdo ditë e më shumë, ndaj, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte një pjekuri politike.

"Mbajtja e gjendjes ekzistuese po bëhet e rëndë dhe e vështirë për institucionet dhe për vendin, sidomos për qytetarin. Duhet t'ia kthejmë vendimin qytetarit, pra sovranit.

Në këtë situatë kjo është legjitime dhe shprehje e një pjekurie politike, e një vetëdije të lartë. Nuk bën të testohet deri në pafundësi një gjendje e tillë.

Mënyra më e mirë për t'u riparuar kjo gjendje që e ka rënduar Kosovën është për t'ia kthyer vendimin sovranit. Kjo besoj se do të ishte e mirë për gjithë spektrin politik dhe për qytetarët", ka thënë Haradinaj.

Ai gjithashtu ka folur edhe për procesin ndaj tij në Francë, ku ka thënë se kërkesa e palës serbe është e padrejtë dhe e motivuar politikisht.

"Kjo kërkesë është thjesht përndjekje ndaj meje dhe nuk ka të bëjë asgjë me ligj", ka thënë Haradinaj. /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2017, ora 10:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori