Haradinaj: Kurti e rrezikoi sigurinë kombëtare me qasjen ndaj AKI-së
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se pasardhësi i tij Albin Kurti e ka rrezikuar sigurinë kombëtare me qasjen e tij ndaj institucioneve të sigurisë.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, Haradinaj ka thënë se me vendimin për t’iu hequr pagat ish-udhëheqësve të AKI-së, është vërejtur se Kurti nuk e di se çfarë është shteti.

“Le t’i shkarkojnë të gjithë dhe le t’i sjellin militantët e tyre apo le të blejnë tepihë apo çfarë ta donë, por mos të bëjnë gabime në raport me Serbinë sepse na kthejnë shumë mbrapa”.

“Ja njoh shumë njerëz Albin Kurtit dhe shumica e tyre nuk kanë kritere të duhura që ta luftojnë korrupsionin. Ne nuk kemi pasur dilema për këtë; tash qytetarët do ta shohin që lule e drite kanë qenë tjerët në krahasim me atë që do të bëjnë këta – pikërisht në kapjen e shtetit”.

“Kryeministri Kurti mburret se iu ka hequr pagat ish-udhëheqësve të AKI-së. Një shtet për ta ruajtur sigurinë nacionale [nëse personi që i njeh informacionet sekrete nuk vdes] duhet t’i japë rrogë”.

“Nëse një zyrtar të AKI-së ju e lini pa rrogë dhe pa respekt, ju e ekspozoni nervin e vendit tënd të sigurisë”.

“Kjo tregon se Kurti nuk e di se çfarë është shteti. Ky mendon se shteti është organizatë joqeveritare. Unë personalisht nuk i kam njohur ish-udhëheqësit e AKI-së apo Policisë, por i kam respektuar ata”.

“Ne e kemi rritur rrogën e prokurorit deri në dy mijë euro. Ne e kemi nderuar AKI-në me ligjin për paga. Duhet që ta dijë shefi i sotshëm dhe ai i nesërm i AKI-së se nëse për një arsye e humbë punën, ai kurrë nuk do të mbetet në rrugë. Ju nuk mund t’i lini shefat e AKI-së pa pagë”.
Shtuar më 20/02/2020, ora 22:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori