Haradinaj kritikon Kurtin për deklaratat e marrëveshjeve në Munih
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar qëndrimin e kryeministrit aktual Albin Kurti, lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Munih, për të cilat, ky i fundit, thotë se s’ka informacione.

Haradinaj, kujton një takim që e kishte mbledhur në kohën kur qe kryeministër, me Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës dhe Transportit Rrugor, me të cilët kishte biseduar lidhur me marrëveshjet që i kishte arritur i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trumpi, Richard Grenell.

Ish-kryeministri thotë se nga ta ka kërkuar mos të negociojnë asnjë që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, e njësoj, thotë se është dashur të bëjë edhe kryeministri Kurti për “të mos turpëruar vendin duke thënë se s’ka qenë i informuar”.

“Si kryeministër i vendit, dy javë më herët kam ftuar në takim grupet punuese të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe atë të Transportit Rrugor, respektivisht zyrtarët e Ministrisë Xhemajli, dhe Qupevaj, për t’u informuar rreth letrës së qëllimit për hekurudhat me Serbinë, e që është ndërmjetësuar nga Ambasadori Grenell. Kam kërkuar nga ata, që të jenë vigjilent dhe mos të negociojnë e as të diskutojnë asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këtë gjë, është dashur ta bëjë edhe kryeministri Kurti, në mënyrë që mos ta turpërojë vendin dhe institucionet duke thënë se nuk ka qenë i informuar. Kjo deklaratë, dëshpëron edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dhënë indikacione se nuk jemi unik ndaj përkrahjes së tyre”, shkruan Haradinaj.

Marrëveshjet e nënshkruara në Munih, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë bërë pa dijeninë e tij. Ai, përmes një statusi në rrjetet sociale, ka shkruar se nuk e ka autorizuar askënd për këtë marrëveshje.

“Këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga qeveria e re, as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër, as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë”, ka shkruar Kurti.
Shtuar më 15/02/2020, ora 23:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori