Haradinaj: Këtë vit përmbyllim marrëveshjen me Serbinë
Qeveria e vendit ka mbajtur një mbledhje solemne për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, me këtë rast ka mbajtur një fjalim të shkurtër para kabinetit qeveritar.

Ai ka thënë se secili qytetar i Kosovës e ka rrëfimin e tij për rrugëtimin e shtetit të Kosovës për këto 11 vjet.

“Pavarësia jeton në ne. Secili prej nesh i ka rrugëtuar këto 11 vjet të Pavarësisë, çdo qytetar, secili prej nesh e ka rrëfimin e vet të rrugës së 11 vjetëve të shtetit".

“Edhe qeveria e vendit e ka rrëfimin e vet. Edhe kjo Qeveri tani e ka rrëfimin e vet nga koha kur kemi marrë përgjegjësitë”.

“Ajo që mendoj se është me rëndësi t’ua konfirmojmë qytetarëve të vendit është se me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha çështjet që kanë ndodhur para Kosovës dhe Qeverisë dhe njëkohësisht me respektin më të madh për interesin e qytetarëve të vendit”.

“Ka shumë vendime, ligje, pako ligjore, reformë. Ka gjithashtu vendime të mëdha si Ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën dhe resurset tjera ekonomike – vendime të tjera ekonomike “.

Haradinaj ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur Kosova do t'i përmbyllë të gjitha çështjet e hapura, duke përmendur edhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Në 10 vjetëshin e dytë që kemi hyrë, besoj që është një vit i konsolidimit tonë si shtet dhe i përmbylljes së të gjitha temave të mbetura të hapura në planin rajonal dhe ndërkombëtar, që nënkupton edhe marrëveshje për njohje obligative ligjore me Serbinë në kufijtë ekzistues, njëkohësisht edhe anëtarësim në NATO”.


Shtuar më 17/02/2019, ora 08:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori