Inaugurohen ambientet e komitetit olimpik në Shqipëri, Rama: Do nisim kampionatet mes shkollave

Me praninë e presidentit të komitetit olimpik ndërkombëtar Thomas Bach janë inauguruar sot në Tiranë ambientet e reja të komitetit olimpik në Shqipëri.

Bach tha gjatë fjalës së tij se është i lumtur të shohë progresin që po bën sporti në Shqipëri ndërsa vlerësoi marrëdhënien dypalëshe.

“Është një kënaqësi e madhe të jem në Shqipëri. Jemi shumë të emocionuar të shikojmë progresin që po bën sporti në Shqipëri në krahasim me të shkuarën. Jemi besimplotë se shqiptarët mund të kenë përpara një të ardhme të ndritur.

Shumë respekt për përgjegjësinë mes qeverisë dhe kryeministrit. Kjo është ajo që i thashë kryeministrit në një takim që patëm sot në mëngjes. Jam i lumtur të jem këtu dhe të shoh sportin në Shqipëri të ecë në këtë mënyrë”, tha ai.

Rama nga ana tjetër ceku disa nga projektet në fushën e sportit për të rinjtë duke përmendur krijimin e skuadrave të sportit në çdo shkollë dhe nisjen e kampionateve me shkollave për të kontribuar në formimin e sportistëve të rinj.

“Është privilegj për ne që sot kemi të pranishëm presidentin e komitetit olimpik ndërkombëtar. Nuk ka nevojë të bëjmë prezantime. Është një vizitë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Na vjen mirë që sot ndamë me presidentin disa rezultate të para të procesit të rithemelimit të lëvizjes olimpike në shkolla. Do vazhdojmë të hedhim hapa të tjerë që në të gjitha shkollat e vendit të kemi skuadra dhe të kemi kampionate sportive në shkolla.

Edhe të kemi nga kjo lëvizje sportistë që të ngjiten në shkallë të tjera dhe të shkojnë deri në olimpiadë. E rëndësishme është ta kemi këtë lëvizje sportive për t’i dhënë fëmijëve mundësinë të shkëputen nga bota e kompjuterëve. Jetë pa sportin dhe një fëmijëri pa sportin është fëmijëri e cenuar. Na vjen mirë që presidenti dhe skuadra e tij e çmuam sa kemi bërë por u ndjenë të përfshirë në këtë projekt dhe do na mbështesin me dijen e madhe që ka komiteti olimpik”, deklaroi Rama.