Haradinaj i reagon SBASHK: Presioni juaj po rrezikon zgjidhjen
Raportet e Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK’ut janë ashpërsuar edhe më shumë pas paralajmërimeve se greva do të vazhdojë edhe javën e ardhshme. Ramush Haradinaj u ka dërguar porosi mësimdhënësve se me presion s’do të mund të zgjidhin problemin e pagave. Pavarësisht kësaj, të hënën greva vazhdon.

Kjo është përgjigja e Qeverisë së Kosovës lidhur me kërkesat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të rriten pagat.

Zyra e Ramush Haradinaj konsideron se Qeveria është e hapur për dialog dhe për zgjidhje të qëndrueshme por jo përmes presioneve dhe grevave.

”Por kërkesat duhet bazuar në mundësitë aktuale, duhet parë të plotë procesin dhe duhet ditur se presioni dhe vendosja e kushteve, jo vetëm që nuk prodhon zgjidhje, por rrezikon zgjidhjen e gjerë që do t’i hapte mundësi trajtimit të veçantë për këto kategori”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Greva e nisur më 14 janar pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme.

SBASHK’u ka njoftuar se i tërë arsimi fillor, i mesëm dhe universitar do të vazhdojë grevën deri në realizmin e kërkesave për rritje për 30 për qind koeficientin për mësuesit dhe profesorët.


Shtuar më 20/01/2019, ora 16:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori