Kovaçevski: Me kreun e ASH-së do të bisedojmë për ardhmërinë evropiane të vendit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka konfirmuar edhe njëherë takimin me liderin e ASH-së, Arben Taravarin me të cilin tha se do të diskutojnë për ardhmërinë evropiane të vendit.

Kovaçevski gjithashtu njoftoi edhe për mbledhjen e sontme të organeve qendrore të LSDM-së ku do të debatohet për çështjet aktuale në shtet.

“Sot kam takim me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Taravarin, këtë takim e kam konfirmuar që dje, e ka konfirmuar dhe z. Taravari. Në këtë takim do të flasim për përcaktimet programore dhe politike për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen, kjo gjithsesi se ka të bëjë integrimet evropiane të shtetit, sundimin e së drejtës, lufta kundër korrupsionit, rritja  e efikasitetit të kuvendit, sjellja e vendimeve që nënkuptojnë përballje më të lehtë me krizën ekonomike dhe energjetike dhe miratimi i ligjeve reformuese që do të përmirësojnë funksionimin e shtetit. LSM-ja gjithashtu ka seanca të rregullta në organet e saja qendrore, një mbledhje e këtillë do të mbahet dhe sot në të cilën do të debatohet për të gjitha çështjet aktuale në shtet”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Taravari para se të hyjë në takim me Kovaçevskin, tha se një nga pikat për të cilat do të bisedohet është lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.

“Sot ulemi së bashku me partitë qeveritare për ti filluar negociatat. Natyrisht ne kemi përgatitur programin tonë të cilin ën fillim do ta diskutojmë për sinkronizim të programit qeveritar me programin e Aleancës për Shqiptarët, e më vonë mund të bisedojmë edhe për zgjedhje kadrovike, por pikë së pari puna që duhet ta bëjmë sot është a mund ti sinkronizojmë programin tonë me programin e Qeverisë. Programi, nuk është korrekte që para se të hyjmë ta themi këtu, por e para është pakëti ynë për antikorrupsion dhe funksionimi i shtetit të së drejtës, pikat tjera do ti flasim pastaj”, tha Taravari.