Haradinaj i jep Ahmetit 25 vende në listën e deputetëve
AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe PSD-ja e Shpend Ahmetit sot u morën vesh që të nënshkruajnë marrëveshje parazgjedhore për koalicion, tash kur vendi është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas kësaj marrëveshjeje, PSD-ja do të marrë 25 vende në listën për deputetë.

AAK-ja e PSD-ja sot e thyen akullin e vijave të kuqe, duke paralajmëruar nënshkrim të koalicionit parazgjedhor, për të shkuar kështu në zgjedhje me një listë të përbashkët.

Në një marrëveshje që ishte arritur ditë më parë, sot janë definuar të gjitha detajet.

Express mëson se PSD-ja, sipas marrëveshjes që ka arritur me AAK-në, në listën parazgjedhore do të garojë me 25 deputetë.

Zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje do të bëhet sot në orën 15:00, në një konferencë të cilën PSD-ja e ka paralajmëruar.

Marrëveshjen për koalicion e ka konfirmuar sot kryeministri në dorëheqje e kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Shtuar më 19/08/2019, ora 14:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori