Haradinaj fton edhe Limajn me AKR-në pas firmës me Ahmetin
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur në një konferencë për media së bashku me kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin, pasi që të dy partitë nënshkruan marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Haradinaj tha se deri te koalicioni erdhi pasi që u panë qëllimet në programet e të dy partive, para zgjedhjeve.

“Kjo punë ka pas për bazë qëllimet programore të PSD-së po edhe të AAK-së dhe kemi arritë të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti, dhe poashtu procesin më të mirë më tutje për aspektin programor, kemi mbërri me zgjedhë edhe të gjitha pyetjet që na presin”, tha kreu i AAK-së, e kryeministri në dorëheqje, derisa, sipas tij, tani janë më të përgatitur për zgjedhjet e reja.

“Them me përgjegjësinë më të madhe se ky koalicion parazgjedhor që është i pari e falenderoj kryetarin Shpendin dhe PSD-në për besim, mendoj që sot jemi më të përgatitur me i marrë përgjegjësitë para zgjedhjeve”, shtoi tutje.

Haradinaj ka përmendur edhe seancën për votimin e ushtrisë, derisa, sipas tij, atëherë PSD kishte qenë ajo që e kishte vulosur krijimin e saj, duke dhënë votat pro.

“Ne nuk kemi treguar asnjë neglizhencë, më kujtohet koha e votimit për ushtrinë e Kosovës, në atë kohë lista serbe u largua prej qeverisë, dhe jau kujtoj qytetarëve të vendit që ishte PSD që e votoi ushtrinë”, shtoi.

Sipas Haradinajt, AAK-ja është e hapur për bashkëpunim edhe me disa parti, si NISMA e AKR.

“Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismës, me AKR-në, me do parti që kemi një komunikim të ndërsjelltë, nuk synojmë PAN 2 apo PAN 3 nuk jemi pjesë e ndonjë skenari për ndonjë PAN të ri. Jemi poashtu që subjektet e tjera politike që kanë pikpamjet e veta t’i dëgjojmë. Por, ajo që po bojmë ne nuk po presim prej askujt, ne po krijojmë boshtin e fitores për këto zgjedhje, një bosht që po krijojmë, boshtin e fitores”, ka shtuar ai.
Shtuar më 19/08/2019, ora 15:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori