Haradinaj: Duam të njihemi nga Serbia, por pa shkatërruar atë që kemi arritur
Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka mbajtur ligjëratë para studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Haradinaj ka thënë se është duke udhëhequr një Qeveri të sfiduar pasi është në koalicion me disa parti.

“Qeverisja në vendin tonë është e sfiduar shumë, e udhëheq një qeveri të koalicionit me disa parti dhe si e tillë është një qeveri e sfiduar edhe nga përbërja e vet. Ajo çka e ka sfidu më shumë është disa prej temave që i kam gjetë në tavolinë”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, Haradinaj ka thënë se e ka porositur gjithë kabinetin qeveritar të mos ankohen për atë që kanë gjetë në qeverisjen e mëhershme por të më tregojnë se çfarë po bëjnë prej kohës që i kanë marrë punët përsipër.

“Ka tema të mira të lezetshme por edhe problematike ju kam thënë të mos e fshehin asnjë temë. Ligji për Prishtinën ka qenë temë që është diskutu gjatë.

Krejt temat e Kosovës të të gjitha natyrave të mundshme kemi fillu të merremi me to. Kështu kemi mrri në disa tema që janë kardinale si te ligji i ushtrisë, ju e patë përfaqësuesin e Amerikës i cili dje në OKB tha se e mbështet krijimin e ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar kryeministri para studentëve.

Sipas tij, Qeveria që e udhëheq nuk është perfekte pasi ka vërejtje dhe gabime.

“Por nuk jemi duke bërë diçka keq, është një qeveri që nuk iu ka frikësu temave. Tash e kemi INTERPOL-in, po përjetohet me emocione por kjo është mundësi që Kosova me luftu krimin.

E kem liberalizimin e vizave që po punojmë në këtë temë. Te arsimi nuk kem arritë mjaftueshëm arsyet janë se në tavolinë kam gjetë tema të mbi një dekade”.

Haradinaj ka thënë se Kosova ka interes të njihet nga Serbia.

“Kemi interes për njohje nga Serbia dhe duhet të negociojmë njohjen por me paprekshmëri të asaj që kemi krijuar. Nëse ndodh e kundërta atëherë është e rrezikshme për vendin. Nëse nuk dimë me rujt atë që e kemi arrit, s’mund të ruajmë diçka të re”, ka përfunduar kryeministri. /lajmi.net/

Shtuar më 15/11/2018, ora 12:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori