Haradinaj dënon sulmin terrorist ku u vranë 49 myslimanë duke u falur
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave nga sulmi terrorist në xhamitë e Zelandës së Re, ku mbetën të vdekur rreth 50 persona e u plagosën mbi 40 të tjerë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë.

“Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale.

“Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasysh nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale”, deklaroi ai.

Edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e ka dënuar ashpër sulmin terrorist që ndodhi në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e përshkroi këtë si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të errëta” të vendit.

Në ndërkohë, zëdhënësi i Policisë ka njoftuar se për këtë rast tre burra dhe një grua janë në paraburgim derisa ka paralajmëruar se shumë të dyshuar të tjerë mund të jenë akoma të lirë.
Shtuar më 15/03/2019, ora 10:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori